Milorad Dodikut i është marrë pasaporta diplomatike dhe ai ka 15 ditë kohë që ta dorëzojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, njofton “Avaz”.
Nëse ai nuk e kthen pasaportën brenda kësaj kohe, atëherë Ministria do t’i njoftojë policinë kufitare dhe rrjetin diplomatik dhe konsullor të Bosnjë-Hercegovinës, se pasaporta është anuluar.
Dodikut të hënën iu hoq mandati nga Komisioni Qendror Zgjedhjor i Bosnjës dhe vendimi u konfirmua edhe nga Dhoma e Apelit e Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës. Arsyeja për heqjen e mandatit të tij ishte dënimi i formës së prerë nga korriku për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të Bosnjë-Hercegovinës.
Dodik u dënua me një vit burgim, por u pajtua të paguante mbi 18 mijë e 600 euro që të mos qëndronte në burg, ndërsa atij i është ndaluar edhe pjesëmarrja në politikë për gjashtë vjet. Si rezultat i vendimit, Dodiku ka humbur mandatin e tij dhe nga e hëna më nuk është president i Republika Sërpskas.