Dogana e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të produkteve Botox dhe Maspoert, të dyshuara si të kontrabanduara dhe të falsifikuara, me origjinë nga Irani.
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Insajderi, janë sekuestruar produktet e mëposhtme:
Dysport 500 units/vial – 30 copë
Masport 500 – 90 copë
Hyonax Plus Deep 2x1ml – 1 copë
Hyonax Plus Extra Deep – 1 copë
Hyonax Plus Fine 2x1ml – 1 copë
Produktet janë sekuestruar nga Sektori Anti-Kontrabandë (njësia AK-5) dhe ndodhen nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e procedurave hetimore.
Në lidhje me rastin, është shoqëruar për intervistim Dr. Hajrullah Binakaj nga Gjakova, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportimin dhe shpërndarjen e produkteve të sekuestruara.
Binakaj ka një histori të mëparshme ligjore.
Ai ka qenë më parë i akuzuar për trajtime të papërgjegjshme mjekësore në cilësinë e mjekut internist në spitalin privat “Heart” në Gjakovë, ku sipas aktakuzës përdorimi i metodave të papërshtatshme mjekësore kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes së një pacienteje.
Prokuroria kishte kërkuar ekspertizë mjeko‑ligjore, ndërsa Binakaj kishte deklaruar pafajësinë e tij.
Produktet e sekuestruara janë dërguar për analiza laboratorike, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante.
Autoritetet theksojnë se të gjithë personat e përfshirë mbeten të dyshuar deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjes së vendimeve ligjore përfundimtare.
Gazeta ka kërkuar një përgjigje nga doktori Binakaj dhe nga Dogana e Kosovës, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.













