Qeveria e Kosovës më 14 mars njoftoj se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës.
Kosova tashmë ka nisur zbatimin e ligjit me lëshimet që u bën publike pas një takimi të zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin nga Xhelal Sveçla që është marrë dje.
Në vendimin që bëhet publik për herë të parë, thuhet se të gjithë qytetarët që i kanë regjistruar faktet civile në strukturat jo-ilegale serbe nga data 10 qershor 1999 deri më 15 mars 2026 kanë të drejtë të aplikojnë për regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.


Ligji u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.
Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.
Opozita kritikoi ashpër vendimin
Në komunikatën e saj për media, PDK, kishte deklaruar se Kurti ‘po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë, dhe se, kompromiset e Kurtit, po cenojnë sovranitetin e Kosovës.
‘‘Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, përmes të cilave po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës. Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës. Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës’’, u tha ndër tjerash nga PDK’ja.
Nga LDK, kishte reaguar Avdullah Hoti.
‘‘Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele. Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je.’’, ka shkruar mes tjerash Hoti.
Ndërsa nga ana e AAK-së, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri tha se me kompromiset e Kurtit, Serbia doli fituese.















