Emërimi i ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu në krye të Portit të Durrësit është konfirmuar edhe zyrtarisht.
Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Mirela Kumbaro-Furxhi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook’, e ka quajtur lajm shumë të bukur emërimin e ish-ministrit të Kurtit.
Ky emërim, sipas njoftimit, është bërë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit! Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi, se sa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-Ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë. Zgjedhje e goditur Belinda Balluku. Urime e me krahë të lehta!”, ka shkruar ministrja Kumbaro-Furxhi.
Çuditërisht, njëzet minuta pas postimit, ministrja në fjalë është bërë pishman dhe e ka hequr njoftimin. Sidoqoftë, Nacionale e ka kapur postimin origjinal për emërimin e Aliut në detyrën e re.













