Mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet sot kanë protestuar në qendër të Shkupit kundër padrejtësive që Gjykata Speciale po ua bënë ish-krerëve të UÇK-së.
Për rreth një orë, në shesin “Skënderbe”, ata kanë kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimn dhe Jakup Krasniqin.
Në fjalimet e tyre, organizatorët e protestës, kanë kërkuar që të respektohet historia më e re e Kosovës.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë me dije procesi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të përfundojë me epilog të pafajësisë.
“Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarët që ndodhen prapa atyre grilave akuzohen për vepra të pabëra”, ka thënë ai.
Ai ka bërë me dije se gjatë këtij procesi janë dëgjuar akuza ndaj UÇK-së që dikur dëgjoheshin vetëm nga Beogradi dhe Moska.
“Ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, sepse Libri i Verdhë është me na shkel e me na mohu historinë më të re e më kredibile të shqiptarëve, historinë e UÇK-së, historinë e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se për kontributin e ish-krerëve te UÇK-së në stabilitetin dhe paqen në rajon.
“Ne e kemi dashur lirinë, por ju duke ua mohuar popujve tjerë. Ushtria e jonë nuk ka qenë kundër asnjë populli, as kundër popullit serb. Demonstrata e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë, sepse këta që ndodhen në këtë kanë kontribuuar në stabilitetin dhe paqen e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se kur ka qenë ata në pozita të larta shtetërore kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje me Maqedoninë e Veriut.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Sot jemi mbledhur këtu që ju të iu tregojmë ambasadave të huaja në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka qenë ushtri kriminale, UÇK ka qenë ushtri çlirimtare, që e ka mbrojtur kombin dhe vendin e vet. Ne sot jemi këtu për ta ngritur zërin ndaj padrejtësive”, ka thënë ai.
Ai ka pasur një mesazh edhe për kryetaren e Gjykatës Speciale.
“Ne sot i tregojmë Tredafiloves se UCK buron dhe vepron nga pillu. Atë populli e lindi dhe e rriti dhe sot populli qëndron prapa saj”, ka thënë ai, duke shtuar se Gjykata Speciale është gjykatë politike.
Kurse, veterani i UÇK-së, Hasan Haklaj, ka thënë se tri shkronjat e arta të alfabetit shqip janë UÇK.
“Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese. Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, ka thënë Haklaj.
Para protestuesve ka folur edhe veterani dhe invalidi i UÇK-së, Berat Hajdari, është njeriu i parë që iu ka drejtuar protestuesve në Shkup.
“Jemi mbledhur këtu për një kauzë që na dhemb, që na prek zemrat, historinë dhe identitetin, por mbi të gjitha na bashkon. Na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK, të cilët po gjykohen padrejtësisht në Hagë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se në këtë protestë po kërkohet drejtësi dhe jo hakmarrje.
Kjo protestë ishte organizuar nga OVL-UÇK, pas atyre që ishin organizuar në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.














