Punësimi i zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në pozita të rëndësishme publike duket se tashmë është bërë një gjë e zakonshme.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi edhe në komunën e Leposaviqit që drejtohet nga Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosjes.
Përmes një konkursi publik për pozitën Udhëheqës i Sektorit për Shërbime me Qytetarë në komunën e Leposaviqit, këtë pozitë e ka siguruar Alban Uka, i cili mbante pozitën e Drejtorit të Administratës në këtë komunë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Nga dokumenti që ka siguruar Veriu.info shihet se Alban Uka ka siguruar numrin më të lartë të pikëve dhe ka siguruar këtë pozitë.
Përveç pozicionit politik brenda komunës, Alban Uka mban pozitë të lartë edhe në degën e Vetëvendosjes në Mitrovicë, nënkryetar i kësaj qendre që përfshin edhe komunat veriore, pra nënkryetar i degës së Vetëvendosjes në Leposaviq.
Veriu.info ka tentuar të telefonojë kryetarin Hetemi por nuk është përgjigjur, dhe pastaj ka dërguar pyetje në adresë të tij për punësimin e bashkëpartiakut në këtë pozitë, por që deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.