Smajl Latifi, kandidati për kryetar nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për komunën e Rahovecit, nëpër tubime po përcjellet edhe nga persona që kanë pasur probleme me drejtësinë me të kaluarën.
Në një tubim partiak në kuadër të fushatës për zgjedhje lokale është parë edhe Avni Morina, ish-drejtor i Arsimit në Komunën e Rahovecit.
Gjykata Themelore e Gjakovës e kishte dënuar me tetë muaj burgim dhe me dënim plotësues Morinën për ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik për një periudhë prej tre vjetësh.
Sipas aktakuzës, Avni Morina akuzohej se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.
Siç vijon aktakuza, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.
Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.
Apeli në korrik ka konfirmuar vendimin e Themelores.