Punonjësit e Telekomit të Kosovës kanë filluar t’i adresojnë ankesat e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt, e jo përmes sindikatës. Kjo, pasi që po pretendojnë se sindikatat po heshtin dhe nuk po adresojnë shqetësimet e tyre. Në objektin kryesor të ndërmarrjes publike kanë shpërthyer pakënaqësitë lidhur me pagën e 13-të dhe sigurimin shëndetësor.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një fotografi në ashensorin e objektit qëndror të Telekomit të Kosovës, ku në një letër janë adresuar ankesa për heshtje të Sindikatës së punonjësve të Telekomit.
“Thuaj JO heshtjes së sindikatës. Duam: Rrogën e 13-të, kthimin e 10%, pagesën e përvojës dhe sigurim shëndetësor“, thuhet në një letër të ngjitur në ashensor.

Sindikata e Telekomit të Kosovës, e cila dikur ishte e zëshme dhe shpërfaqte pakënaqësitë e punonjësve të ndërmarrjes, është më e heshtur se kurrë. Hera e fundit që këta të fundit kanë reaguar publikisht ishte rasti i bllokimit të xhirollogarive të ndërmarrjes nga përmbaruesit.
Dikur anëtarët e sindikatës së kësaj ndërmarrjeje shiheshin nëpër takime me qeveritarët. Këto takimet duke se iu sjellnin “hair”.
Në mars të vitit që shkoi Shpëtim Zharku u emërua në bordin e KEK-ut nga Qeveria Kurti. I njëjti në shkurt të 2025-ës dha donacion për VV-në.
Zharku përveç pozitës në bord, mban edhe një pozitë tjetër në sektor publik. Atë të menaxherit të Departamentit në Menaxhimit të Regjioneve në Drejtorinë Teknike të Telekomit të Kosovës. Ai këtë pozitë të menaxherit e mban që nga korriku i 2023-ës.


Kryetar aktual i sindikatës është Lamih Balaj, i cili përkundër një periudhë të mëhershme që kishte paraqitje të shpeshta në media, tash i ka të rralluara.
Edhe Naim Haliti që dikur ishte sindikalist i zëshëm, është shpërblyer me pozitë në Telekomin e Kosovës. Ai tashmë është në pozitën e menaxherit të qendrës së trajnimeve në ndërmarrjen publike.
Sindikata e Telekomit ka një adresë zyrtare në ‘Facebook’, mirëpo pa asnjë postim.













