Policia e Kosovës ka zbardhur detaje të reja lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi sot rreth orës 10:30 në lagjen “Veternik”, pranë qendrës tregtare “Albi Mall”.
Katër persona të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata kanë sulmuar një furgon që transportonte para, duke shkaktuar panik dhe kaos në zonë.
Si pasojë e të shtënave me armë, dy persona kanë mbetur të plagosur. IndeksOnline ka mësuar se njëri prej tyre është pjesëtari i sigurimit, Fahri Ademi, i cili ishte në mbrojtje të furgonit, ndërsa personi tjetër i plagosur është një nga grabitësit, i identifikuar si Milan Vukojeviq. Të dy të lënduarit po vazhdojnë të qëndrojnë në spital për trajtim mjekësor.
Sipas burimeve të IndeksOnline brenda policisë, grabitësit, pasi kanë realizuar sulmin, janë larguar me një automjet të llojit “Pick-Up” në drejtim të Graçanicës.
Më pas, raportohet se vetura e përdorur për arratisje është gjetur e djegur në periferi të Prishtinës, gjë që tregon përpjekjet e tyre për të zhdukur gjurmët.
Në vendin e ngjarjes ndodhen hetuesit policorë, të cilët në koordinim me prokurorinë po kryejnë ekzaminime për të sqaruar të gjitha rrethanat e grabitjes dhe për të identifikuar autorët e ngjarjes.