Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka reaguar në rrjetet sociale pas humbjes 1-2 ndaj Bayern Munich në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve .
“Ende asgjë nuk ka përfunduar”, shkroi sulmuesi francez, duke lënë të kuptohet se skuadra madrilene mbetet e bindur për përmbysjen në ndeshjen e kthimit.
Në të njëjtën linjë ishte edhe bashkëlojtari i tij, Vinicius Junior, i cili përmes një postimi në “Instagram Story” dha një mesazh motivues për tifozët dhe skuadrën: “Jemi gjallë! Duhet të besojmë!”
Humbja në ndeshjen e parë e vë Real Madridin në një pozitë të vështirë përballë një kundërshtari të fortë si Bayern Munich, megjithatë historia e klubit spanjoll në këtë kompeticion ka treguar shpesh se përmbysjet spektakolare janë pjesë e ADN-së së tij.
Ndeshja e kthimit pritet të zhvillohet më 15 prill në ‘Allianz Arena’, ku do të vendoset edhe skuadra që do të sigurojë një vend në gjysmëfinale.
Real Madridi do të synojë të përmbysë rezultatin, ndërsa Bayern Munich do të kërkojë të ruajë avantazhin dhe të konfirmojë kualifikimin para tifozëve të vet.














