Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së në Kosovë, Milbert Dongjoon Shin tha se që nga zgjedhjet nacionale të mbajtura në shkurt, përçarjet mes partive nuk kanë lejuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë, dhe kjo ka qenë pengesa e vetme për funksionimin e institucioneve qendrore.
Ai tutje ka thënë se më 10 tetor me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, ky organ është shpallur i konstituuar nga kryetari.
“10 deputetë serbë e kanë kontestuar këtë në Gjykatën Kushtetuese. Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ritheksojmë se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet gur-themel i shoqërisë demokratike. Dhe po ashtu shpresojmë që në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës përçarjet politike do të të tejkalohen që populli të përfaqësohet e shërbehet nga institucionet e veta”, tha ai.
Shin tutje ka thënë se i kanë mirëpritur takimet e dialogut në qershor e në shtator midis Kosovës e Serbisë në Bruksel.
“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të shmangim masa që mund të gërryejnë mirëbesimin dhe inkurajojmë palët që të trajtojnë çështjet e mbetura në mirëbesim”, shtoi ai. /RTK