Një rast që ngre dyshime serioze për nepotizëm është në prag të konkretizimit në Komunën e Ferizajt. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në konkursin për pozitën e mjekut të përgjithshëm, kandidatja Lorika Abazi është renditur e para në testin me shkrim. Ajo është vajza e zëvendësdrejtorit të QKMF-së, Afrim Abazi, dhe njëkohësisht mbesa e Lulzim Abazit, asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
Në konkursin që Gazeta Insajderi ka parë, figuron se Lorika Abazi ka marrë 62 pikë nga gjithsej 100 në fazën e testimit me shkrim, duke u renditur në krye të listës së kandidatëve.
Ajo është aktualisht në pritje të intervistës finale, që do të përcaktojë përzgjedhjen përfundimtare.
Duke marrë parasysh lidhjet e saj të ngushta familjare me udhëheqës në sektorin shëndetësor dhe me figura politike lokale, ky rast ka ngritur shqetësime për mundësi të ndikimit politik dhe konflikt interesi në procesin e rekrutimit.
Për këtë arsye, Gazeta Insajderi ka kërkuar një qëndrim zyrtar nga Komuna e Ferizajt në lidhje me këtë çështje, për të kuptuar nëse është trajtuar si konflikt interesi pjesëmarrja e vajzës së një zyrtari të lartë të QKMF-së në një konkurs të brendshëm, dhe nëse janë marrë masa për të garantuar paanshmërinë dhe integritetin e procesit.
Megjithatë, pavarësisht kërkesave të përsëritura, Komuna e Ferizajt nuk ka ofruar asnjë përgjigje zyrtare.
Në një kontakt telefonik, zëdhënësi i komunës, Selim Marevci, deklaroi se kryetari i komunës, Agim Aliu, ndodhet jashtë vendit, dhe sugjeroi që për rastin të flasë shefi i kabinetit, Albion Sfishta. Por edhe ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje, duke e deleguar përgjegjësinë sërish te Marevci.
Deri më tani, asnjë qëndrim zyrtar nuk është dhënë nga ana e Komunës.
“Vajza ime ka konkurruar si çdo kandidatë tjetër”
Gazeta ka kontaktuar gjithashtu edhe vetë zëvendësdrejtorin e QKMF-së, Afrim Abazin, për ta pyetur lidhur me përfshirjen e tij në organizimin apo mbikëqyrjen e konkursit ku konkurron vajza e tij.
Ai mohoi se bëhet fjalë për konflikt interesi dhe tha se vajza e tij ka konkurruar në mënyrë të rregullt, siç tha ai si çdo kandidat tjetër, pa cekur faktin se jo çdo kandidatë tjetër e ka babin zëvendësdrejtor në atë institucion.
“Është e vërtetë që edhe vajza ime ka konkuruar si çdo kandidat tjetër. Nuk mund të quhet konflikt interesi. Nëse unë jam zëvendësdrejtor, atëherë sipas jush ajo nuk duhet të konkurrojë fare? Nuk është bërë ende intervista, kështu që nuk i dihet ende rezultati përfundimtar. Pse është rreshtuar e para në test nuk do të thotë që do të jetë e para edhe në intervistë”, deklaroi ai për Insajderin.
Abazi shtoi se vajza e tij ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe është e kualifikuar për atë pozitë, ndërsa hodhi poshtë çdo lidhje të rastit me vëllain e tij, Lulzim Abazin.
“Çka ka të bëjë kjo me vëllain tim? As që ka lidhje me këtë punë. Unë kam qenë më parë drejtor, por s’kam punësuar asnjë familjar. Kam edhe një vajzë tjetër me master në ekonomi, që është pa punë prej pesë vitesh – po të doja do ta kisha punësuar atë më herët.”
Insajderi ka kërkuar qëndrim edhe nga asamblisti i PDK-së, Lulzim Abazi, por ai nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërkohë, ky rast është denoncuar publikisht edhe nga asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Amir Rexhepi, i cili e ka cilësuar konkursin si të manipuluar dhe si shembull flagrant të nepotizmit.
“QKMF-ja në Ferizaj ka hapur konkurs për rekrutimin e mjekëve dhe stomatologëve. Në vend që të jetë një mundësi për profesionistët e fushës, ky konkurs është kthyer në farsë fyese për të gjithë ata që besojnë në meritë dhe barazi. Emrat e të përzgjedhurve tashmë qarkullojnë para se të mbyllet konkursi. Njëri prej tyre është vetë vajza e zëvendësdrejtorit të QKMF-së. Kjo është fytyra e vërtetë e nepotizmit që po e shkatërron sistemin shëndetësor.”
Rexhepi ka kritikuar heshtjen e Drejtorit të Shëndetësisë, duke e cilësuar si mbështetje të një procesi të kurdisur dhe të pabarabartë.
“Drejtori është kthyer në garantues të padrejtësisë dhe përkrahës i një skeme të turpshme, që po ia mbyll derën të rinjve të kualifikuar në favor të familjarëve të pushtetarëve lokalë.”
Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetimet dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe të ndëshkojë çdo shkelje ligjore që ka ndodhur gjatë këtij procesi.