Kuvendi Komunal i Mitrovicës me 28 prill ka mbajtur seancën e 39-të, ku në mesin e shumë pika të rendit të dita, ishte edhe “Propozim-vendimi për miratimin e Hartës Zonale të Komunës së Mitrovicës së Jugut për periudhën 2024-2032”.
Në një shkrim hulumtues të publikuar më 8 maj 2025, Veriu.info kishte argumentuar me fakte të mbështetura në dokumente zyrtare, se kjo pikë e rendit të ditës ishte miratuar, edhe pse kryesuesja e kuvendit komunal gabimisht kishte konstatuar mos-miratimin e saj.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si ministri që mbikëqyr ligjshmërinë e vendimeve të Kuvendeve Komunale, deri më tash nuk ka ndërmarr veprime të mjaftueshme për të konstatuar miratimin e Hartës Zonale, prolongim të cilit po i kontribun me ose pa vetëdije edhe Kuvendi Komunal, i cili përbëhet nga 35 asamblistë.
Burime të Veriu.info të mirëinformuara me këtë problematikë, bëjnë të ditur se çështja e ‘zhagitjes’ së konstatimit të miratimit të Hartës Zonale po bëhet për shkak të lobimit të disa oligarkëve të ndërtimit në Mitrovicë përmes ndikimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Veriu.info mëson se qëllimi i dy ndërtuesve të objekteve banesore është që konstatimit i miratimit të Hartës Zonale të shtyhet deri në fund të korrikut, gjë që do t’iu mundësonte këtyre marrjen e disa lejeve ndërtimore përmes ankesave në Ministrinë e Ambientit.
“Miratimi i Hartës Zonale kufizon lartësinë e ndërtimeve në Mitrovicë në koeficent 3, që nënkupton se më së shumti mund të ndërtohen objekte banesore 7 kat + përdhesa. Disa ndërtues po dëshirojnë që t’i marrin edhe disa leje ndërtimore në lagjjen Ilirida (ish Tavnik) me koeficent 4, që i bjen deri 10 kat ndërtim. Deri më tash ata kanë praktikuar aplikimin për leje në komunë, e cila kur ua ka refuzuar lejet, pastaj janë ankuar në Ministri të Ambientit dhe atje kanë gjet ‘lidhje’ që t’u aprovohen ankesat dhe të detyrohet Drejtoria e Urbanizmit t’ua jap lejet e ndërtimit”, ka thënë një burim i Veriu.info.
Veriu.info posedon emrat e kompanive ndërtuese që po ndikojnë në ‘zhagitjen’ e konstatimit të miratimit të Hartës Zonale, por që deri në arritjen e marrjes së një përgjigje nga to, nuk do t’i publikoj emrat e tyre.