Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut është ndërprerë procesi i numërimit të votave të balotazhit për kryetar të Komunës së Mitrovicës -Jug, të zhvilluara të dielën.
Kjo ndërprerje është bërë për shkak të dyshimeve për parregullsi në disa fletëvotime, të cilat kanë ngritur shqetësime te komisionerët dhe vëzhguesit në vend.
Me dyshimet me disa fletëvotime që nuk përputhen me standardet e tjera të shtypjes.
Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar me përfaqësues të kompanisë sllovene “Cetis”, e cila kishte fituar tenderin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shtypjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e fundit lokale.
Përfaqësuesi i kompanisë, Damijan Demir, ka konfirmuar se janë në dijeni për problemin dhe janë në kontakt me KQZ-në për të sqaruar situatën.
“Jemi të njoftuar për problemin dhe jemi në kontakt me KQZ-në në Kosovë. Brenda 1 deri në 2 orë do të dalim me një njoftim zyrtar për këtë çështje”, ka deklaruar shkurt Demir për Indeksonline.
Ndërkohë, tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025 e kishte fituar kompania sllovene “Cetis D.D.” në bashkëpunim me kompaninë kosovare “Cetkos L.L.C.”, me në vlerë afro 500 mijë euro.
Indeksonline ka kontaktuar edhe me pronarin e kompanisë vendore Cetkos L.L.C, z. Ilir Hoxha, i cili ka deklaruar se nuk është i autorizuar të flasë për këtë çështje, duke rekomanduar që komunikimi të bëhet drejtpërdrejt me kompaninë sllovene “Cetis”.














