Ish-presidentja Vjosa Osmani ka marrë lavdet për vete dhe ka thënë se një telefonatë e saj në Shtëpinë e Bardhë ka parandaluar agresion të mëtejmë të Serbisë pas sulmit të armatosur në Banjskë.
Në një intervistë në “Pressing” të T7, Osmani ka thënë se këtë e dinë institucionet, pa përmendur emra.
“Një shtet e kemi në krah pa asnjë ekuivokë e ajo është Amerike, të gjithë ata që punojnë në institucione e dinë shumë mirë për çka e kam fjalën. Është për rastin e Banjskës dhe Ibër Lepencit dhe e dinë shumë mirë për çka e kam fjalën”, ka thënë Osmani.
“E dinë shumë mirë kënd e kemi thirre ne në orën tre të natës, kush na ka dalë në ndihmë e kush na ka mbyll telefonit, e dinë institucionet tona se kujt i është drejtuar presidentja, i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të parandaluar plane shumë më ogurzeza që kanë qenë në planifikim e sipër pas Banjskës. Kemi komunikuar me ambasadorin amerikan dhe parandaluam plane më ogurzeza. E dinë shumë mirë që edhe kur bëheshin plane në maj të vitit 2024, ka qenë prapë Amerika që i parandaloi planet, e dinë shumë mirë kush e telefonoi Serbinë dhe e parandaloi Serbinë”, ka thënë Osmani në T7.












