Valon Zymberi, biznesmeni i njohur nga Kosova dhe drejtor i kompanisë së fuqishme “All Zone”, është shfaqur në një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok me influencuesin shqiptar Kozak Braçi, ku ka lëshuar deklarata shqetësuese për përdorimin e substancave narkotike, shkruan Insajderi.
Gjatë këtij “live”, fillimisht Zymberit i dëgjohet vetëm zëri, por pas komenteve të ndjekësve që identifikuan biznesmenin kosovar, ai del hapur në kamera.
Në një moment, me krenari deklaron: “E përdori që 25 vite, krejt dhëmbët i kam të miat”, duke iu referuar përdorimit të drogës për një periudhë të gjatë kohore.
Në një tjetër pjesë të videos, ai dëgjohet duke i thënë Kozakut: “T’i kisha pru 10 gram mall, më të mirin”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me të qeshur se “me shumë qejf do ta pinte me të” dhe se “mbaron pas mallit”.
Siç shihet nga pamjet, e gjithë biseda zhvillohet në njërin prej plazheve në Shqipëri.
Deklaratat, që tashmë janë bërë virale në rrjetet sociale, kanë ngjallur reagime të shumta në publik, sidomos për shkak të profilit të lartë të Zymberit, i cili është i lidhur me kontrata milionëshe përmes kompanisë së tij “All Zone”.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, thuhet se “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe paraqitet si një kompani udhëheqëse në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë, Kosovë.
Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë Zymberin dhe kompaninë e tij për të marrë një sqarim mbi përmbajtjen e videos.
Në pyetjet e adresuara, kërkohej të sqarohej nëse Zymberi është realisht konsumues i drogës, nëse ka kërkuar ndihmë mjekësore për ndonjë varësi, nëse është përballur ndonjëherë me ligjin për këtë çështje, çfarë nënkuptonte me “10 gram të mira” dhe se nga ku i siguron ato. Dhe nëse është kontaktuar nga ndonjë autoritet në Kosovë apo Shqipëri pas publikimit të videos.
Përkundër përpjekjeve të shumta, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as Zymberi dhe as përfaqësues të kompanisë “All Zone” nuk kanë kthyer përgjigje.
Për çka tjetër njihet biznesmeni që abuzon me substanca narkotike tash e 25 vite?
Gazeta Insajderi në të kaluarën ka raportuar gjerësisht për Zymberin dhe kompaninë “All Zone”, të përfshirë në projekte milionëshe në Prishtinë.
Në vitin 2020, pa shpallje publike përmes platformës zyrtare të “e-prokurimit”, kompania “All Zone” përfitoi mbi 4 milionë euro përmes kontratës T-2 për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet. Tenderi u realizua përmes bankës gjermane KfW, por në fund, pagesat kryesore u mbuluan nga ndërmarrja publike Termokos, e drejtuar nga zyrtarë të LDK-së. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, Termokosi planifikon të paguajë mbi 7.6 milionë euro për këtë projekt.
Zymberi, që dikur shfaqej hapur në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës, nuk është figurë e re për organet e drejtësisë.
Në vitin 2012, ai ishte dënuar për mashtrim të Policisë së Kosovës, pasi përmes kompanisë “Idal Solucion” kishte tentuar të shiste një kamion të modifikuar si autoblindë për trazira, me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërkohë që mjeti në fakt ishte një kamion transporti të mallrave, të transformuar në mënyrë të paligjshme.
Rasti u zbulua nga drejtues të lartë të Policisë, përfshirë Shpend Maxhunin dhe Fehmi Gjatën, të cilët e kapën kamionin në një servis në fshatin Mazgit. Pas zbulimit, Zymberi u dënua, por shtatë vite më pas u lirua pas rigjykimit – pa u dhënë ndonjë sqarim publik për këtë vendim.
Për tenderin e Termokosit, Insajderi ka kërkuar sqarime zyrtare nga vetë ndërmarrja publike, nga udhëheqës të LDK-së si Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa, si dhe nga ekipi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Por, asnjë përgjigje nuk kishte kthyer, pavarësisht se bëhet fjalë për miliona euro të qytetarëve.
Sipas raportimeve zyrtare të Zyrës së Rregullatorit për Energji, “All Zone” ka marrë qindra mijëra euro nga buxheti publik për zgjerim të rrjetit në lagjen “Mati 1”, si pjesë e një kontrate të zgjeruar që nuk ishte e planifikuar në fillim.
/Insajderi