Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në Veternik të Prishtinës, ku te qendra tregtare “Albi Mall”, një punëtor i ndërtimtarisë është rrëzuar nga një objekt derisa po punonte dhe për pasojë ka humbur jetën.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se viktima është shtetasi i huaj Nita Cristian-Mihail (rreth 49-vjeçar).
Vdekja e tij ishte konstatuar nga ekipi i emergjencës në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, në vendin e ngjarjes kishin dalë edhe njësitet policore, ku Njësia e Krim-Teknikës dhe Njësia e Hetimeve Rajonale kishin kryer ekzaminimet e nevojshme.
Sot në media është publikuar një fotografi, e cila siç raporton klankosova është e momentit kur punëtori kishe rënë nga lartësia dhe shihet i shtrirë në tokë.

Të premten në vendngjarje ndodheshin edhe katër persona të tjerë, të cilët kanë dhënë dëshmi si dëshmitarë.
Policia në koordinim me inspektorët e punës dhe prokurorinë kanë nisur hetimet për zbardhjen e detajeve të rastit.