Koreja e Veriut e ka përfunduar ndërtimin e një zone turistike masive në bregdetin e saj lindor, raportuan mediat shtetërore të enjten – projekt kyç i shtyrë nga udhëheqësi Kim Jong Un me vite me qëllim të promovimit të turizmit.
Me “kënaqësi të madhe”, Kimi mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit për zonën turistike bregdetare “Wonsan Kalma”, e cila do të mund të akomodojë rreth 20 mijë vizitorë dhe tha se vendi do të ndërtojë shpejt më shumë zona turistike të mëdha, sipas agjencisë së lajmeve KCNA, raporton agjencia “Reuters”.
Kimi ka qenë duke e rindërtuar qytetin bregdetar Wonsan, destinacion për pushime për banorët lokalë, që ta shndërrojë atë në një pikë turistike multimiliardëshe. Planet për zhvillimin e qytetit Wonsan janë shtuar që nga njoftimi i parë i tyre më 2014.
Megjithatë, përderisa turizmi është njëra nga fushat e pakta të të ardhurave për Korenë e Veriut që nuk është në shënjestër të sanksioneve nga OKB-ja, shteti i largët nuk ka pasur partner të rëndësishëm të huaj për projektin në Wonsan.
Zona turistike do të hapet për mysafirët vendës nga 1 korriku, raportoi agjencia KCNA, pa i përmendur turistët e huaj.
Koreja e Veriut i mbylli kufijtë e vet në vitin 2020, me fillimin e pandemisë së koronavirusit, por ka filluar t’i largojë ngadalë kufizimet nga viti 2023.
Ky shtet e ka lejuar hyrjen e turistëve rusë, por kryeqyteti dhe pjesë të tjera të vendit mbeten të mbyllura për turizmin e rregullt, edhe pse në prill u mbajt një maratonë ku morën pjesë edhe vrapues të huaj.