Adnan Merovci, bashkëpunëtori shumëvjeçar i Presidentit historik Ibrahim Rugova, ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale mëngjesin e sotëm, pas publikimit të një fotografie që ngjalli reagime të shumta dhe konfuzion në opinion.
Në imazh, Merovci shfaqet duke ecur përkrah një personi që ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me Presidentin Rugova. Një pamje që në shikim të parë bën të kthesh kokën dhe të pyesësh veten se çfarë po sheh vërtet.
Ai nuk shoqëroi fotografinë me ndonjë shpjegim, përveç mbishkrimit të shkurtër: “Pa koment”, duke lënë hapësirë për interpretim të lirë dhe të menjëhershëm nga ndjekësit.
Menjëherë nisën reagimet dhe teoritë: disa menduan se mund të ishte një fotografi arkivore, të tjerë nisën të pyesnin nëse ishte ndonjë krijim përmes inteligjencës artificiale. Por një sqarim i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm erdhi nga vetë familja e Merovcit.
E bija e tij, Alba Merovci, prezantuese e njohur në televizionin publik ka sqaruar përmes një postimi detajet.
Ajo sqaruar se bëhet fjalë për një sozi të Presidentit Rugova, një qytetar me nacionalitet italian.
Fotografia e sotme, ndonëse shkaktoi zhurmë, na kujtoi edhe një herë ndikimin e pashlyeshëm që ka lënë Rugova në memorien kolektive dhe sa lehtë çdo shfaqje që lidhet me të zgjon emocione të forta në publik.