Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përplasur me qeverinë britanike, për dëbimin e 700 familjeve shqiptare, që u është refuzuar azili dhe vijojnë të jetojnë në Britani të Madhe.
Rama e ka cilësuar deklaratën e ministres së brendshme britanike,Shabana Mahmood, se familjet që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil, si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare, si zhgënjyese.
Rama thotë se kjo thirrje vjen në një moment kur Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje të konsoliduar sa i përket migracionit.
“Si mundet një ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post-Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm.”
Rama kujton se se falë punës së përbashkët intensive mes dy qeverive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur dhe kontrolli i migracionit ka funksionuar.
“Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla. Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe” tha ai.
Në reagim, kreu i qeverisë shqiptare shprehet se shqiptarët në Britaninë e Madhe janë kontribues në ekonominë britanike dhe përfitimet që marrin janë më të ulëta se komunitet e tjera.
“T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie”, thekson Rama.













