E Sollën me Dorë, me Keqmenaxhim, Keqrregullim dhe Injorancë në Qeverisje!
Ishte krejtësisht e parandalushme. Kishte edhe propozime konkrete si me shmangë një valë të re të inflacionit në shoqëri dhe ekonomi. Nuk dëgjuan. I përbuzën të gjithë. E tash kur inflacioni po na godet përsëri…ata e fusin kokën nën dhe e nuk bëjnë asnjë zë. Nuk marrin asnjë përgjegjësi.
Sikur ai qeni i keq që ta sjellë ujkun në torishtë, ashtu ZRRE dhe Qeveria e kanë kriju me veprimet dhe mosveprimet e tyre valën e re të inflacionit. Qytetarët janë më të varfër se niveli i inflacioni po rritet me shpejtësi muajt e fundit.
Qytetarët e familjet tash munden me ble më pak me parat e tyre. E kjo valë e re e inflacioni po ndodhë pas një periudhe disa vjecare brutale të rritjes së çmimeve.
E fatkeqësisht, kjo cka po shohim nuk është me e keqja ende.
Tash edhe po konfirmohet Vala e Re e Inflacionit, ajo çka u paralajmërua detaisht muaj më parë. Dje Agjencia e Statistikave ka njoftuar që në qershor inflacioni mesatar ka shkuar në 4.3%, nga vetëm 0.7% në nëntor e 1.5% në janar. Në disa produkte specifike, rritja e çmimeve ishte deri 18% në qershor.
Kjo valë e re e rritjes së çmimeve ka qenë plotësisht e mundshme me u shmangë dhe është dhuratë nga ZRRE dhe Qeveria, ata që kanë rregulluar dhe menaxhuar sektorin e energjisë. Literalisht e kanë keq-rregulluar dhe keq-menaxhuar.
Ata e sollën dhe janë përgjegjës për këtë valë të re të çmimeve, sepse nuk bënë asgjë për të parandaluar, edhe pse kishim me qindra mijëra argumente dhe përpjekje me i paralajmëru për këtë që po ndodhë sot.
Kur ne e vendosëm fokusin te efektet e inflacionit që shkakton rritja e kostos së energjisë në ekonomi dhe te bizneset dhe familjet kosovare, ata tentuan ta izolojnë vendimin e tyre vetëm në fatura të energjisë.
E tash kjo që po shohim dhe përjetojmë, një valë e re e inflacionit, është si rezultat i keqmenaxhimit të ekonomisë dhe keqmenaxhimit të energjisë.
Ekonomisë, për shkak të rritjes së importeve dhe deficitit kronik astronomik duke investuar gabimisht paranë publike e duke i goditur e sulmuar bizneset vendore. E energjisë, për shkak të rritjes së çmimit, e që ishte totalisht e parandalueshme dhe e shmangshme…sikur të kishin dëgjuar pak.
Kjo që po shohim mund të mos jetë ende më e keqja, fatkeqësisht. Me shumë gjasë kjo valë e inflacionit është e krijuar nga rritja e parë e çmimit të energjisë, 16.1%.
Ende efekti i rritjes disa herë më shumë të kostos së energjisë për bizneset tona, sidomos prodhuesit, nuk ka arritur në treg.
Nëse ky trend aktual brutal i inflacionit nuk ftohet dy muajt e ardhshëm, më e keqja do të ndodhë nga tetori, e pastaj kur ftohet moti dhe faturat e energjisë e arrijnë kulmin. Nëse hymë sezonën pas tetorit me një nivel rreth 4% të inflacionit, muajt në vijim mund të kemi një shpërthim me efekte të vitit të mbrapshtë 2022.
Kosovarët janë një shoqëri me t’u dhimt në shpirt, se askush nuk kujdeset për ta. Kur i godet ekonomia e çmimet rriten, askush nuk lajmërohet. Nuk kanë as ministra, as qeveri, e ndoshta askush nuk ju ndihmon. Kur ata shkojnë te arkat e marketit, aty më së miri e kuptojnë që dikush ju ka vjedhur xhepat e tyre dhe fuqia blerëse e tyre është rënuar.
Fatkeqësisht, inflacioni, rritja e çmimeve, mirëqenia dhe mundësitë e kufizuara janë ndoshta edhe arsyeja kryesore pse kosovarët po vazhdojnë me migru jashtë vendit. Vetëm vitin e fundit ishin 37,000 persona që lëshuan vendin. Ndërsa janë rreth 300,000 që kanë lëshuar fshatrat, sipas një regjistrimi të fundit të popullsisë.