Një person është sot është ndaluar në pikën kufitare të Merdares i cili ishte i kërkuar nga drejtësia për krime të rënda ekonomike dhe korrupsion.
Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një burrë, i cili është ndaluar nga Policia Kufitare gjatë përpjekjes për të dalë nga territori i Republikës së Kosovës. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prizren që nga shkurti i vitit 2021.
Sipas dosjes hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, A. H. dyshohet se, gjatë periudhës 2017-2019, si analist kredie në mikrobankën “Kosovo Grameen – Arco Baleno” në Prizren, ka përvetësuar 150,660.61 euro, duke inkasuar këstet mujore të kredive të 38 klientëve dhe duke i përvetësuar për vete.
Ndaj tij rëndojnë dy akuza penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Pas ndalimit, Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka lëshuar vendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.