Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kishte shkarkuar më 5 shtator drejtorin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku menjëherë rastin e kishte denoncuar në polici.
Dje, Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë tashmë ish drejtorin, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me një kontratë për subvencionim.
Në një prononcim për media të dhënë dje nga Fahri Jashari, ai kishte thënë se ka ndodhur një gabim teknik për një shumë prej 6 mijë e 500 euro.
“Realisht e vërteta qëndron në atë që në një kontratë e kemi bërë një gabim teknik, pra kemi vendosur të holla më shumë, mirëpo me palën jemi dakordu dhe të hollat janë rikthyer. Vlera e shtuar ka qenë në shumën prej 6 mijë e 500 eurove, totali është 10 mijë ndërsa 3 mijë e 50 kanë qenë me projektë dhe gjatë procesit kemi lëshu ndonjë gabim, por kur e kemi marrë një raport prej zyrës së financave e kemi vrejtë gabimin’’, kishte thënë Fahri Jashari.
Burime të Veriu.info nga Komuna e Mitrovicës bëjnë të ditur se kjo shumë prej 6 mijë e 500 euro që ishte transferuar në xhirollogarinë e një OJQ-je, sot nga e njëjta OJQ është kthyer në buxhetin e Komunës së Mitrovicës.
Pra, OJQ-ja ka bërë kthimin e mjeteve, për të cilat ish drejtori thoshte janë transferuar në bazë të një gabimi teknik që ka ndodhur./Veriu.info/
Bedri Hamza shkarkon drejtorin e Kulturës në Mitrovicë, Fahri Jashari
U shkarkua nga Bedri Hamza, flet drejtori: Ishte një gabim teknik me vlerë 6500 euro