Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka dërguar një notë diplomatike ku njofton Qeverinë e Kosovës për një pezullim të përkohshëm të fondeve dhe angazhimeve të reja nga programet e ndihmës financuara nga SHBA.
Burimet e IndeksOnline kanë konfirmuar se ky pezullim do të jetë në fuqi deri në rishikimin e të gjitha programeve të ndihmës që SHBA ofron në Kosovë. Dokumenti të cilin e ka.parë IndeksOnline është adresuar disa ministrive dhe institucioneve të rëndësishme të Kosovës, përfshirë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, të cilat kanë bashkëpunim me SHBA-në për realizimin e këtyre programeve.
Ky zhvillim mund të ketë ndikim në disa sektore të qeverisjes dhe mund të shkaktojë vonesa në financimin e projekteve të rëndësishme. Ambasada e SHBA-së, në fund të njoftimit, ka përdorur një formulim diplomatik për të shprehur respektin dhe seriozitetin e këtij vendimi.
Ky njoftim përbën një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet diplomatike dhe financiare mes SHBA-së dhe Kosovës, duke lënë hapësirë për shqyrtime dhe ndryshime të mundshme në politikat e ndihmës ndërkombëtare.