Policia e Kosovës ka arrestuar në veri të vendit 5 persona, një shqiptar dhe 4 serbë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Në mesin e 5 të arrestuarve, Gazeta Online Veriu.info mëson se është edhe Besim Zeqiri, i njohur me nofkën “Kaça” që njihet si “bosi i kontrabandës” nga Serbia në Kosovë.
I njëti ka precedent penal dhe është i njohur për Policinë e Kosovës.
Rastin e arrestimit të një shqiptari dhe katër serbëve e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
Sipas Elshanit, në momentin që oficerët policorë kanë tentuar t’i ndalojnë të dyshuarit, grupi i ka sulmuar me armë zjarri dhe më pas Policia është kundërpërgjigjur.
“Oficerët e policisë iu përgjigjën zjarrit, por për fat nuk pati viktima”, tha ai. Më pas në furgon kanë gjetur cigare dhe kanë konstatuar se ka pasur edhe lëndë narkotike”.
“Pesë të arrestuarit dyshohen për “kontrabandë mallrash”, “posedim të lëndëve narkotike” dhe “sulm ndaj zyrtarit”. Të katër automjetet janë sekuestruar”, ka thënë ai.