Xhel për eliminimin e parazitëve të ndryshëm te kuajt e medikamente për trajtimin e infeksioneve te peshqit, janë gjetur në shtëpinë e konspiracionstit Arianit Sllamniku gjatë kontrollit të Policisë së Kosovës.
Pas ndalimit për 48 orë, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Sllamnikut në Gjilan ku janë konfiskuar medikamente të ndryshme dhe disa armë zjarri, për të cilat Policia tha se i njëjti posedon leje.
Në fotografitë e shpërndara nga Policia, janë vënë re medikamente të cilat përdoren për kafshët.
“IverQuest” janë disa nga medikamentet që janë sekuestruar në shtëpinë e Sllamnikut.
Ky medikament (sipas kërkimeve në Google) përdoret për eliminimin e parazitëve të brendshëm dhe parazitëve të jashtëm si morrat dhe mizat te kuajt. “IverQuest” mund të përdoret në formë të lëngshme si xhel për lyerje dhe përmes shiringave.
Përpos xhelit për lyerje te kuajt, në shtëpinë e Sllamnikut janë konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e një medikamenti i cili përdoret për të trajtuar infeksionet kërpurdhore te peshqit, “Methylen Blue”.
Sipas kërkimeve në Google, “Methylen Blue” përdoret në akuariume për të mbrojtur peshqit nga rritja e tepërt e kërpudhave dhe duke përmirësuar transportin e oksigjenit në gjak.
Në fotografinë e publikuar nga Policia e Kosovës janë vënë re edhe medikamente tjera me fotografi të kafshëve si lopë, kuaj e dhi.
FOTO: Policia e Kosovës – konfiskimi në shtëpinë e Arianit Sllamnikut
FOTO: Policia e Kosovës – konfiskimi në shtëpinë e Arianit Sllamnikut
Megjithatë, nuk dihet nëse medikamentet e konfiskuara nga Policia e Kosovës janë të njëjtat me ato që Sllamniku ia ka rekomanduar pacientëve.
Arianit Sllamniku është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës nën akuzat për “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”.
Sllamniku pretendonte se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, por ishte arrestuar pas raportimeve se i njëjti kishte përdorur medikamente për kafshë ndaj fëmijëve të diagnostikuar me autizëm.
Lidhur me veprimtarinë e tij kishte reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.
Në reagimin e saj, Ministria kishte shprehur shqetësim për këto raportime dhe iu kishte bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.
“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhej në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.












