Lideri i çetnikëve serbë Bratislav Zhivkoviq i cili ka qenë pjesëmarrës në ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe organizator i dërgimit të mercenarëve serbë në frontin e luftës në Ukrainë, është vrarë në kundërofensivën ruse në rajonin e Kurskut.
Presidenti rus Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit të hënën. Përveç përfaqësuesve rusë, në fjalimin e tij morën pjesë edhe shumë të ftuar, e në mesin e tyre u dallua një burrë me uniformë ushtarake me dekorata të shumta dhe simbole çetnike.
Ai është Bratislav Zhivkoviq, një komandant 42-vjeçar i çetnikëve, forcës paraushtarake serbe që luftoi përkrah separatistëve pro-rusë në provincat Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës në 2014 dhe 2015 si pjesë e organizatës së ekstremit të djathtë “Unite Continentale”.
Zhivkoviq pretendon se ai ishte i ftuar në konferencën e Putinit si pjesëmarrës në një “operacion special ushtarak në Ukrainë”.
Ai thekson se është “i vetmi komandant serb që organizoi detashmentin çetnik dhe e solli në Krime në vitin 2014”, duke shtuar se ai mori pjesë “në mbrojtjen e qytetit të Luhanskut në të njëjtin vit dhe në mbrojtjen e Donetskut në vitin 2018. ”
Në pjesë të Ukrainës lindore, Moska inkurajoi një kryengritje separatiste në vitin 2014 dhe luftimet midis forcave lokale dhe separatistëve pro-rusë kanë vazhduar në ato provinca që atëherë.
Në vitin 2018, Zhivkoviq u arrestua në Serbi me dyshimin se organizoi pjesëmarrjen e serbëve në konfliktin e armatosur në Ukrainë dhe u ofronte atyre 200 euro në muaj në këmbim.
Ekstremisti po hetohet nga Prokuroria e Ukrainës për rolin e tij në sulmet ndaj forcave ukrainase në provincat e lartpërmendura.
Informacioni i fundit për Zhivkoviqin u shfaq në media vitin e kaluar, kur u raportua se ai ishte plagosur rëndë dhe trajtohej në Moskë dhe se ai erdhi në fjalimin e Putinit me paterica.
Në vitin 2017, Rumania e dëboi Zhivkoviqin dhe e ndaloi hyrjen në vend për 15 vjet pasi ai dyshohet se tregoi interes për informacione sekrete rreth objekteve dhe pajisjeve ushtarake.
Ai u kap duke spiunuar dhe fotografuar radarët ushtarakë në bregun e Detit të Zi ndërsa përpiqej të transmetonte koordinatat e tij GPS.
“Gjykata e Apelit në Bukuresht e shpall Bratislav Zhivkoviqin të padëshirueshëm në Rumani për 15 vitet e ardhshme për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare”, thuhet në arsyetimin për dëbimin e tij.
Lideri i çetnikëve serbë kishte kaluar tri ditë në Maqedoninë veriore, gjatë së cilës ai vizitoi edhe rrethin e Kumanovës, ku u zhvilluan luftimet në maj të vitit 2015.
Gjatë qëndrimit atje, Zhivkoviq u takua me përfaqësuesit e shoqatave serbe dhe emëroi komandantin çetnik për rajonin e Kumanovës. Pas konfliktit të Kumanovës, Zhivkoviq kishte deklaruar se do të organizonte vullnetarë nga Serbia për të luftuar shqiptarët.
Ai ka tentuar të kalojë kufirin edhe në pikën kufitare Preshevë-Kumanovë, por nuk është lejuar nga policia serbe.
Atij iu ndalua hyrja në 15 vende anëtare të NATO-s. Për vrasjen e tij kanë raportuar edhe mediat në Serbi./KP/