Ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, po dyshohet për kanosje.
Hetimet ndaj tij kanë nsiur nga Prokuroria Themelore në Pejë.
“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, thanë nga Prokuroria në Pejë.
Në një prononcim, Riza Murati, që e raportoi Krasniqin për kanosje, ka dhënë versionin e tij për rastin dhe ka treguar detaje se çka ndodhi atë ditë.
Murati tha se atë ditë djali i tij kishte pësuar aksident trafiku dhe vetura e të njëjtit ishte e ndalur, derisa policia të arrinte në vendin e ngjarjes.
Por, sipas tij, ministri Krasniqi ka pretenduar se po i pengon në rrugë dhe ka kërkuar largimin e saj, gjë të cilën Murati e ka refuzuar, për shkak se po priste policinë.
“Të dielën në orën 12:00 ka ardhë djali të më marr në punë, atë ditë dhe ka ndodhur një aksident, i ka ra njëri me kerr djalit dhe i kemi thirrë policinë, ndërkohë ka ardhur ky personi ka dalë nga kerri, unë se kam njohur se ka qenë Ministër, na ka thënë ta largoni kerrin prej aty. Unë i thash “nuk bën të largohet vetura prej aty, pa ardh policia nuk bën të hiqet kerri prej vendit të ngjarjes”, tha ai.
Momenti kulminant i kësaj ngjarje, sipas Muratit ka qenë ai kur ministri i Kurtit, pozitë për të cilën ky as nuk e dinte se e kishte, ia kishte treguar armën që mbante në brez.
Ky veprim i Krasniqit e ka frikësuar Muratin, por edhe të birin e tij, njofton Klankosova.tv.
“Si u afruam ai u qart krejt, i çoi duart, mos mu afroni, i thash asgjë nuk po të bëjmë po kerri nuk bën të largohet. Një femër që kish qenë me të në kerr, shofere, doli e qiti kokën në dritare tha “a e dini kush është ky”.
“Ndërkohë, ky personi njërën dorë e ka çu lart, me tjetrën e ka çu jaknen me ma tregu armën. Mua ma merr mendja që ka mendu që ne duam ta rrahim ose ta kanosim, vetëmbrojtje, apo me na tut neve a. Kur e nxori armën unë u befasova, u tuta prej tij, u tut djali”, ta Murati për Klan Kosovën.
Ai tha se targat e veturës i kishin fotografuar dhe i kishin dërguar në polici, por derisa kanë reaguar gazetarët, policia nuk i kishin treguar se personi në fjalë është ministër në detyrë.
Murati u shpreh se ka dhënë deklaratë në polici dy herë, derisa tha se tani që e di se është ministër, po ndihet i rrezikuar.
“Kur ministri sillet si të jetë rrugaç, qysh mos me u ndi”, u shpreh ai, duke thënë se më e udhës kishte qenë që Krasniqi të ndalej e të pyeste për ndihmë.
“Unë frikësohem se kta VV-ja e kanë në dorë krejt, këta bëjnë çka të duan vet”, tha ai, duke menduar se rasti i tij nuk do të trajtohet si duhet në polici.
“Çka kam unë, asgjë s’kam hiç. Unë jam thjesht një bujk”, përfundoi Murati.
Megjithatë, avokati i Krasniqit i ka mohuar këto akuza. Ai ka thënë se janë politike.
“Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës të cilën kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati për Betimi për Drejtësi.
Ai shtoi se në momentin e ngjarjes, Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët.
“E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm”, tha Kastrati.
Sipas avokatit, denoncuesit e rastit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe se dyshohet që rasti është politik ngase jemi në prag të zgjedhjeve.
“Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë gjë që perforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve”, tha Kastrati.















