Enis Osmani ka bërë të ditur se është emëruar nënkryetar i Komunës së Mitrovicës nga kryetari Faton Peci.
Vendimi për emërimin e Osmanit është marrë në kuadër të marrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës lokal, ku edhe subjekti politik GUXO ka propozuar kandidatin e tij për këtë pozitë.
Postimi i Enis Osmani:
Të dashur qytetarë,
Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit.
Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën. Vazhdojmë kështu rrugëtimin e përbashkët, në një bashkëpunim të ndërsjellë, të ndërtuar me korrektësi dhe sinqeritet, për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se vizioni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit tonë.
Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Prandaj, zotohem se çdo veprim imi do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje të dobishme për të gjithë qytetarët.
Faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj.
Na priftë e mbara!
I juaji,
Enis Osmani













