Christian Eriksen është lojtari më i ri i Manchester United pasi që sot u zyrtarizua te “Djajtë e Kuq”. Danezi dha një intervistë për klubi ku, ndër të tjera, tregoi se nuk besonte që pas incidentit me sulm në zemër mund të luante në Angli prapë.
Eriksen mbeti agjent i lirë pasi i skadoi kontrata me Brentford. Ai zgjodhi të luante për ekipin e Erik ten Hag, ndonëse kishte ofertë edhe nga klubi paraprak.
“Mendoj se nga rruga ime e karrierës para incidentit në Euro, plani nuk ishte të kthehesha fare në Mbretërinë e Bashkuar. Mendoja se koha ime për të shkuar në Manchester United ishte më parë”, u shpreh mesfushori 30 vjeç.
Ai gjithashtu tregoi pse zgjodhi pikërisht klubin nga Manchesteri si destinacionin e tij të ardhshëm: “Dua të them, unë jam një djalë që dua të luaj futboll dhe mendoj se, me idenë e ardhjes së trajnerit dhe idetë që ai kishte, dhe gjithashtu me bisedat e mia me të, dua të them se mund ta shihja veten duke luajtur futboll në Manchester.”
Danezi po ashtu përmendi faktin se klubi është prej më të mëdhenjve, nëse jo më i madhi, në botë, kështu që s’ishte e vështirë për të të zgjidhte United.
Përndryshe, United deri më tani kanë bërë tri prurje të reja, pasi blenë Tyrell Malacia nga Feyenoord, Lisandro Martinez nga Ajax, ndërsa Christian Eriksen erdhi nga Brentford pa para.