Prej 2020-s, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka bërë Greqinë si ‘shtëpinë e dytë’. Megjithëse i izoluar ndërkombëtarisht, ai ishte mysafir i shpeshtë në Athinë. Në nivel zyrtar, Kurti u takua më së shpeshti me Mitsotakisin. Pjesa tjetër e takimeve të tij ishin me politikanë të pensionuar e të pafuqi si George Papandreou e Aléxis Tsípras. Ai nuk e solli se nuk e solli njohjen nga Athina zyrtare. Në forume të majtësh, si simpoziumi Symi, Kurti investoi me të madhe në imazhin e tij prej një Tsíprasi të dytë që i bën rezistencë Perëndimit. Kosova e Greqia hëpërhë janë aty ku e lanë Thaçi e Kotzias. Kosova ekziston në Greqi me një Zyrë të Interesave në Athinë, kurse Greqia me një Zyrë Ndërlidhëse në Prishtinë. Kjo e fundit merret me evidentim grafitesh në rrugë e hartash të Shqipërisë së Madhe…
Col Mehmeti
Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës helenike janë…në të vërtetë, ato janë një hiç i madh.
Si pasojë e mosnjohjes nga Athina zyrtare, përfaqësia e saj diplomatike në Prishtinë është e rangut të një zyre ndërlidhëse dhe e akredituar nga UNMIK-u.
Në tejqyrën e Republikës helenike, Kosova nuk është bash-bash e pavarur, por ajo shihet si një kreaturë ‘Kosovo-UNMIK’.
Gjithsesi, shtëpia e lezetshme trekatëshe, me fasadë të këndshme për sytë, në rrugën ‘Ismail Qemali’ ndodhet te mëhalla e ambasadave në Prishtinë.
Në këtë asimetri të thellë, edhe Kosova ka një copëz prani në Athinë përmes Zyrës së Interesave të Kosovës.
Lindja e saj ishte tejet e vështirë mes shumë negociatash të ndërsjella.
Megjithëse nisi si Zyrë e Kosovës për Çështje Ekonomike dhe Tregtare dhe më pas u ‘avancua’ në Zyrë për Interesat e Kosovës, statura e saj diplomatike lë shumëçka për të dëshiruar.
Ajo nuk e gëzon të drejtën që flamurin shtetëror ta valëvisë jashtë objektit.
‘Ametávliti’ grek
Nga shkurti i 2008-s kur në hartën e kontinentit u ravijëzua shteti më i ri evropian e deri më sot kanë parakaluar gjashtë kryeministra grekë, por stanca e Athinës ka mbetur kryengultësisht mosnjohëse e mohuese.
Në gjuhën e një burokrati të paemër në guvernën greke, “I ellinikí thési parémeine ametávliti” (Qëndrimi grek mbetet i pandryshueshëm).
Se Athina e ka përnjëmend politikën e saj mosnjohëse, shembulli më taze vjen nga mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës.
Më shumë se një e treta të fjalimit të përfaqësuesit të përhershëm të Greqisë në Kombet e Bashkuara, Evangelos Sekeris, ishte me lavde e panagjerizma për UNMIK-un.
Megjithëse aleatët perëndimorë të Kosovës, veçmas ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar, përsërisin prej vitesh kërkesën për mbylljen e këtij misioni, Greqia absurdshëm, njësoj si Kremlini, kërkon që ai të mbetet në Kosovë.
Derisa përfaqësuesi i ShBA në OKB, John Kelley, e quajti UNMIK-un “mision paqeruajtës pa paqeruajtës”, i cili gjithë buxhetin e vet e shpenzon për paga të punonjësve të vet, diplomacia greke kërkoi që ai të qëndrojë edhe më tutje.
“Greqia mbështet vazhdimin e mandatit të tij si të domosdoshëm”, pohoi ambasadori Sekeris.
Kusuri i fjalimit të përfaqësuesit grek ishte me qortime zyrtare për “veprimet e njëanshme” në veri të Kosovës, madje duke tundur këmbanat e alarmit se me to vihet në pikëpyetje stabiliteti rajonal.
Për Sekerisin, që përcolli qëndrimet e shtetit të tij, të drejtat e serbëve të Kosovës duhet të respektohen plotësisht – anipse askush në Perëndim nuk ka alarmuar ndonjëherë se ato nuk respektohen.
Vetëm me një paragraf të shkurtër, ambasadori grek e dënoi sulmin në Bajë më 2023 dhe atë në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në vjeshtë të vitit të kaluar.
Sipas tij, “dorasit e këtyre veprave të dhunshme duhet të sillen para drejtësisë në një mënyrë transparente e me respektim të plotë të parimit të sundimit të ligjit.”
Fjalimi vazhdoi tutje me tonin e njejtë qortues duke thënë se “vendosja jopërpjestimore e forcave të policisë së Kosovës si përgjigjje ndaj protestave paqesore është thellësisht alarmuese”.
Ambasadori grek nuk shpjegoi se cilat “protesta paqësore” kanë zënë vend në veri, aq më tepër kur protestat e dhunshme të serbëve lokalë kanë vënë në rrezik jetën e trupave paqeruajtese të KFOR-it.
Suma summarum, Greqia nuk e honeps Kosovën e pavarur, por atë e do ende nën sqetullën protektive të OKB-së dhe Rezolutës 1244.
Asimetria e një marrëdhënie
Pesë vitet e fundit, në të vërtetë, ishin kronika e një marrëdhënie absurdshëm asimetrike midis dy vendeve që, megjithëse nuk kanë një kufi të përbashkët, janë në të njëjtin areal ballkanik.
Dramatis personae në këtë raport njohje-mosnjohje kanë qenë ish-kryeministri grek, Aléxis Tsípras, ai i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri tjetër grek, Kyriakos Mitsotakis.
Me të parin, marrëdhënia e kryeminitrit të Kosovës ishte disi pa barrën e detyrimeve shtetërore.
Tsiprasin e anashxnjerrur nga politika qysh më 2019, Kurti e takoi si sivëlla ideologjik në korrik të 2021-s kur ai më ishte vetëm kryetar i Syriza-s.
Me të njëjtin u takua edhe pas një viti, në korrik 2022, në margjinat e takimeve vjetore të ‘The Economist’ në resortin buzëdetar Grand Resort Lagonissi.
Tsipras-Kurti ishte flirt e shkelje e syrit në iluzionin e një vëllazërie të majtësh ballkanas – nuk patën munguar madje edhe paralajmërimet kallpe se Kurti do të ishte një Tsipras i dytë.
Mitsotakis ose një rrëfim ‘love-hate’
Megjithëkëtë, ky episod i ngjan një dashurie kalimtare që u la nën hije nga marrëdhënia tejet interesante mes Kurtit dhe barasvlerësit të tij grek, Kyriakos Mitsotakis.
Qysh më 27 shkurt 2020, ai i kishte telegrafuar një mesazh përhajrimi Kurtit për zgjedhjen si kryeministër.
Në letër ishte thënë që Greqia është “avokat i vazhdueshëm i perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor”, por pa ndonjë ogur nëse Athina do të lëvizte në drejtim të njohjes së Kosovës.
Eskapadat e Kurtit në Greqi janë tejet interesante përkundrejt sfondit që qeveria e tij për katër vjet me radhë përjetoi izolim ndërkombëtar e sanksione.
Fillimisht, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias kishte ardhur mysafir në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi, të dyja palët kishin dhënë sinjale afrimi: Kurti e kishte falenderuar kryediplomatin grek për politikën ndaj Kosovës, duke veçuar rastin kur vota greke kishte qenë vendimtare për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin e Venecias.
Me 8 korrik 2021, ai e zhvilloi të parin takim mes ‘të barabartësh’ me kundërpjesën e tij, Kyriakos Mitsotakis.
Në këtë takim, ai e kishte zëruar kërkesën që Greqia t’iu bashkohej vendeve që e kanë njohur Kosovën.
E njëjta kërkesë ishte shkrepur edhe në takimin e dytë me kryediplomatin grek, Nikos Dendias, por pa ndonjë zotim nga pala gjithëherë e kursyer greke.
Jashtë kapacitetit zyrtar, vera e 2021-s ishte pushimi i parë i Kurtit dhe familjes së tij në hotelin ëndërror Grand Resort Lagonissi në jug të Athinës.
Udhëtimi i dytë zyrtar në tokën greke ishte një vitë më vonë kur Kurti mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit që u mbajt brenda datave 6 dhe 9 prill 2022.
Dalëngadalë, Greqia u bë ‘shtëpi e dytë’ për Kurtin.
Pak muaj më vonë, ai u takua në Athinë me ministrin e Jashtëm të Qipros, Ioannis Kasoulides.
Mësymja e Kurtit në Greqi nuk ndaloi as vitin pasues.
Në korrik të 2023-s, ai qe pjesëmarrës në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI në Kretë.
Me këtë rast, ai ishte pjekur kokë-më-kokë me ish-kryeministrin grek, George Papandreou.
Një paralajmërim që u shua si fishekzjarr
Me sa duket takime informale si këto e kishin mbushur kryeministrin kosovar me optimizëm të tepruar.
Në shtator të po të njëjtit vit, ai kuturisi të bënte një paralajmërim të guximshëm gjatë një interviste për mediumin polak ‘TVP World’.
“Ne kemi punuar mjaft në nivelin diplomatik…Greqia është e para në listën e vendeve që janë afër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, pati thënë Kurti.
Ky paralajmërim ishte jehëzuar edhe në Greqi dhe shtypi grek e kishte shfrytëzuar rastin të sqarohej për këtë gjë me Kurtin.
Në një intervistë për të përditshmen greke ‘Kathimerini’, kryeministri Kurti ishte pyetur pse Greqia duhej ta njihte Kosovën.
“Ne jemi në favor të NATO-s, BE-së, ShBA-së dhe Perëndimit, dhe nuk kemi asnjë çështje të hapur me Greqinë”, kishte thënë ai.
Në bisedë e sipër, Kurti e kishte skicuar një tablo tejet pozitive të realiteteve të reja mes Kosovës dhe Greqisë.
Sipas tij, afrimi me Greqinë kishte bërë që të rriteshin eksportet në Greqi për 200 për qind dhe importet prej saj për 120 për qind.
Pyetjes tjetër të ‘Kathimerinit’ nëse njohja e Kosovës nga Athina do të çonte ujë për ‘Shqipërinë e Madhe’, Kurti i ishte përgjigjur në mënyrë mohuese.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndara.
“Ne duam që të dy shtetet t’i bashkohen BE-së. Ne sigurisht që ndajmë të njëjtën gjuhë, kulturë dhe identitet kombëtar, por ne jemi dy demokraci”.
Me Mitsotakisin, kryeministri Kurti pati takime edhe jashtë Athine.
Vitin e kaluar, ata u bënë bashkë në takime dypalëshe fillimisht në Munich (shkurt) dhe në New York (shtator).
Greqia qëndron e patundur me Serbinë
Sidoqoftë, aventurat e Kurtit në Athinë e Rethymno të Kretës nuk sollën trofeun e shumëdëshiruar – njohjen nga Greqia.
Megjithëse herëpashere është dhënë ndonjë shenjë e vegullt për afrim, Athina zyrtare nuk ka dhënë ndonjë deklarim eksplicit se ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.
Në gusht të 2022-s, ambasadori grek në Beograd, Giorgos Giakofotakis kishte thënë se “Greqia nuk po ndryshon qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën.”
Kësaj i kishte dhënë vulë përfundimtare deklarimi i vjetmë i kryeministrit grek, Mytsotakis.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd në shkurt të vitit të kaluar, kreu i qeverisë greke kishte thënë se “qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar.”
Thaçi e Kotzias bënë histori
Duke e vështruar historinë e dekadës së fundit, momenti më kthesëshënues kishte qenë në kohën kur kryeministër i Greqisë kishte qenë Aléxis Tsípras dhe ministër i Jashtëm, Nikos Kotzias.
Gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Prishtinë, në korrik të 2015-s, kur ishte takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, Kotzias kishte dhënë mesazhe tejet të guximshme që e sfidonin politikën e gjeratëhershme greke.
Takimi Thaçi-Kotzias kishte farëzuar idenë që Kosova ta bënte një copë prani në Greqi përmes një zyre në Athinë ose Selanik.
Takime të tilla, tashmë me Thaçin si president, kishte pasur edhe më 2017 e 2018.
Njohja e varur nga gjeopolitika
Nëpër analiza ponderuese ishte thënë se afrimi i Greqisë me Kosovën dhe paqtimi me Maqedoninë e Veriut varej jo pak edhe prej realiteteve të reja gjeopolitike në Ballkan.
Afërsia gjithnjë e më e madhe e Turqisë së Erdoganit me Beogradin kishte shkaktuar e trazuar Athinën.
Dhe kjo e fundit, si kundërpërgjigjje, shestoi idenë e një ‘boshti’ me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Me një shtytje amerikane, Greqia vërtet do të mund të ishte njëri nga vendet më të gjasshme për ta njohur Kosovën e pavarur.
Një skenar hipotetik për njohje nga Greqia vjen vetëm nëse Turqia e Serbia shkojnë drejt afrimit e trashjes së aleancave të tyre, çka do ta pakësonte domethënshëm ndikimin grek në rajon.
Deri atëherë politika greke rreth Kosovës do të vazhdojë të mbetet ametávliti (e pandryshuar), dhe përfaqësia ‘diplomatike’ e Kosovës në Athinë një karikaturë poshtëruese që nuk e valëvit dot as flamurin.
Në anën tjetër, edhe Zyra Ndërlidhëse e Greqisë do të jetë e tillë e realitetmohuese: ambasadorë, konsuj e atashe të saj do të vazhdojnë të gjurmojnë grafite rrugësh e harta të Shqipërisë së bashkuar e t’i raportojnë ato në selinë e Zeusit…