Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, paralajmëroi të martën se Evropa duhet të përgatitet për sulm të thellë në rajon nga Rusia, duke thënë se është “e papërgjegjshme” që të mos ndërtohet mbrojtje si një “mur dronësh” në krahun lindor të kontinentit.
I ndodhur në Londër për të zbuluar një dron iranian të tipit “Shahed-136” që ishte rrëzuar në Ukrainë, kryediplomati polak u bëri thirrje vendeve evropiane që “të qëndrojnë në rrjedhë” sa i përket mbështetjes së tyre për Ukrainën, duke thënë se shpreson që presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i mundësojë Ukrainës që të furnizohet me raketa me rreze të gjatë “Tomahawk” për t’i forcuar sulmet kundër infrastrukturës ruse.
Sipas tij, furnizimi i Ukrainës me më shumë municione si sistemet kundërajrore si dhe armët me rreze të shkurtër dhe të mesme është i nevojshëm për ta mbrojtur Evropën, duke i përmendur rastet e hyrjes së dronëve në qiellin e Polonisë dhe hyrjen e aeroplanëve luftarakë në hapësirën ajrore të Estonisë. Sikorski tha se nuk dihet ende nëse dronët mbi Kopenhagë ishin nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për t’iu kundërvënë kësaj, prandaj mendoj se mosndërtimi i kapacitetit të dronëve dhe kundër tyre këtyre ditëve është gjë e papërgjegjshme” – shtoi ministri polak, duke qëndruar pranë dronit iranian në ndërtesën e kryetarit të Kuvendit të Britanisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ideja që vendi i tij potencialisht të sulmojë një shtet të NATO-s është “marrëzi”.
Sikorski, kritikues i vjetër dhe i ashpër i Putinit, i bëri thirrje Evropës që gjithashtu ta përkrahë Ukrainën edhe për tre vjet.
“Ukrainasit janë duke e planifikuar këtë luft për tre vjet, [vlerësim] i matur, dhe ne duhet ta bindim Putinin që tashmë jemi të gatshëm të qëndrojmë në rrjedhë për të paktën tre vjet” – tha më tej ministri i Jashtëm i Polonisë.