Kompania e pastrimit “Dëlirë Cleaning” është përjashtuar nga prokurimi publik për gjashtë muaj pasi Gjykata e Tenderëve vërtetoi dyshimet për mashtrim me dokumente. Kompania kishte ofruar një dokument të falsifikuar të Administratës Tatimore të Kosovës në thirrjen e hapur për pastrimin e objektit të Doganës së Kosovës.
Në vendimin e lëshuar nga OSHP thuhet se kompania “Dëlirë Cleaning” është diskualifikuar nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit për periudhën kohore në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, duke filluar nga data 04.03.2025 deri me datën 03.09.2025.

Vendimi është arsyetuar me faktin se kompania “Dëlirë Cleaning” kishte ofruar një dokument në të cilin kishte bërë ndërhyrje të datave të lëshimit. Dokumenti ishte lëshuar nga ATK, por kompania me qëllim të përmbushjes së kërkesave të Doganës së Kosovës kishte falsifikuar datat e lëshimit të vërtetimit tatimor.
Sipas ARBK’së, pronare e kompanisë së pastrimit “Dëlirë” është Ditona Reka Rushkolli.

ATK konfirmon falsifikimin e dokumentit
Dyshimet që ka ngritur Dogana e Kosovës, në cilësinë e autoritetit kontraktues ishin verifikuar edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Sipas tyre, vërtetimi i ofruar nuk figuron në sistemin e ATK’së.
“Pas verifikimeve në sistemin e Administratës Tatimore të Kosovës, vërtetimi tatimor (i bashkangjitur) me Numër Serik 1001085365 nuk korrespondon me shënimet e Vërtetimit Tatimor të gjeneruar nga sistemi i Administratës Tatimore të Kosovës me po të njëjtin numër serik”, thuhet në përgjigjen e ATK’së që është publikuar ne vendimin që OSHP ka marrë ndaj kompanisë në fjalë.
Kompania e pastrimit “Dëlirë Cleaning” nuk i është përgjigjur asnjë thirrje të OSHP’së për të ofruar fakte për dokumentin në fjalë.
E Përgjigje nuk ka pasur as për Gazetën Insajderi. Kompania nuk i është përgjigjur thirrjeve të Gazetës e as pyetjeve të dërguara përmes postes elektronike.
Si rrjedhojë, kompania është diskualifikuar dhe më pas është futur në Listën e Zezë.
“Paneli shqyrtues, bazuar në shkresat e kësaj lënde dhe provat e administrauara, ka konstatuar se qëndrojnë pohimet e AK-se, sikurse janë përshkruar ato ne kërkesën e datës: 10.12.2024, sepse Operatori ekonomik Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K, ka vepruar ne kundërshtim me nenin 99.2 te LPP- se, per faktin se Administrata Tatimore e Kosovës e ka konfirmuar se i vërtetimi tatimore me numër Serik …. nuk korrespondon me shënimet e Vërtetimit Tatimor të gjeneruar nga sistemi i Administratës Tatimore të Kosovës dhe veprimet e tilla bien ne kundershtim me nein 99.2 te LPP-se”, thuhet me tej në vendim.
Vendimin e OSHP’së mund ta gjeni KËTU
/Insajderi.org/