Prishtina mbrëmë është tronditur nga të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan në rrugën “Rrustem Hyseni”, ku për pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari ndodhet akoma në arrati, ndërsa Policia është në kërkim të tij.
Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se viktima e këtij rasti është 62-vjeçari, Naser Gashi, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, u raportua se u godit edhe me thikë në gjoks.
Ish-koloneli Afrim Veseli, i cili është familjar i viktimës, ka dhënë detaje për momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Ai ka potencuar se Naser Gashi ishte në vendin e ngjarjes rastësisht dhe nuk kishte lidhje me përplasjen mes dy palëve të përfshira.
“Naseri është tezaku im, jemi rritur së bashku. Ai ka qenë një njeri familjar, që ka shikuar punët e veta. Sipas informacioneve që kemi, ai ka qenë duke qëndruar me shokët e tij në një restorant kur ndodhi përleshja mes dy grupeve, të cilët për ne janë të panjohur. Naseri nuk kishte asnjë lidhje me këtë zënkë”, ka thënë ai për Klanin.
Veseli po ashtu ka treguar se fillimisht viktima nuk ishte i vetëdijshëm që ishte qëlluar.
“Shokët e tij thonë se ai mendoi se po pësonte një sulm në zemër. Kur e morën për ta çuar në spital, e kuptuan që po i rridhte gjak”, ka potencuar ai.