Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” po vazhdon të korrë suksese në fushën e artit jo vetëm në Kosovë por edhe në arenën ndërkombëtare.
Ky institucion nën drejtimin e drejtorit Sabit Sheremeti do të jëtë zëri i Kosovës në një nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare të teatrit në Rumani “Festivalul Babel Târgoviste”, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Shfaqja “Kontesha Arduini” produksion i teatrit “Muharrem Qena” është përzgjedhur të marrë pjesë në këtë festival.
Kjo është një mënyrë e përfaqësimit të Kosovës në botë përmes gjuhës së artit në një vend si Rumania që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Njoftimi i plotë i teatrit:
Me emocion të veçantë ju njoftojmë se shfaqja “Kontesha Arduini”, produksion i Teatrit “Muharrem Qena” – Mitrovicë, është përzgjedhur të marrë pjesë në një prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të teatrit – Festivalul Babel Târgoviște, Rumania! 🇽🇰🇷🇴
Në këtë ngjarje të madhe artistike, ku takohen 34 shtete nga të gjitha kontinentet, Kosova do të jetë krenarisht në mesin e tyre – përfaqësuar nga një trupë e përkushtuar, kreative dhe profesionale që me dashuri e guxim ka ndërtuar një botë teatrale unike në “Konteshën Arduini”.
Ky është më shumë se një sukses – është një mision artistik, një zë i kulturës sonë që dëgjohet larg, një urdhër për të çuar artin tonë në skenat që tejkalojnë kufijtë dhe gjuhët.
Ekipi i Teatrit “Muharrem Qena” nuk po merr vetëm një shfaqje me vete – por gjithë shpirtin e Mitrovicës, historinë tonë, dhe ëndrrat kolektive të një populli që jeton me artin!
Urime dhe suksese gjithë ekipit artistik dhe teknik që me përkushtim të palëkundur e solli këtë projekt deri këtu!
Rumania, ndonëse ende nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por hap dyert për artin dhe krijimtarinë tonë skenike.
Urime gjithë ekipit të Teatrit “Muharrem Qena” për këtë arritje të jashtëzakonshme!
Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë – pa pasaporta diplomatike, por me pasaportën më të fortë: ARTIN!
Falënderim i veçantë për Kryetarin e Komunës së Mitrovicës dhe DKRS për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Teatrit “Muharrem Qena” dhe artistëve të këtij qyteti. Kjo përkrahje është jetike për ruajtjen dhe zhvillimin e një skene të gjallë kulturore që tashmë po dëgjohet edhe ndërkombëtarisht