Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar pas dështimit të zgjedhjes së “Qeverisë Kurti 3”. Ai e cilësoi situatën si fatkeqësi për vendin, duke theksuar se Kosova ka mbetur e bllokuar për tetë muaj rresht dhe vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje.
Limaj kërkoi që kryekuvendari Dimal Basha të japë dorëheqje, duke shtuar se ai nuk duhet të mbajë asnjë post publik, përfshirë edhe atë që iu propozua sot si ministër i Infrastrukturës.
“Është hap i mirë reflektimi, por nuk është i plotë. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik, dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, u shpreh ai.
Sipas Limajt, kriza politike që ka përfshirë vendin është pasojë e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe e vendimeve të vonuara politike.














