Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë mbështetjen e tij për protestën që po mbahet sot në Hagë, me fillim nga ora 14:00, kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Përmes një deklarate publike, Limaj tha: “Unë jam me ta, pa asnjë rezervë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare, të sakrificës dhe dinjitetit kombëtar.”
Ai theksoi se historia e Kosovës nuk mund të shkruhet nga akuzat e padrejta, duke shtuar:
“Lufta jonë ka qenë dhe mbetet luftë çlirimtare e drejtë, për liri dhe demokraci, e përkrahur nga miqtë dhe aleatët tanë që njohën të vërtetën e kauzës sonë.”
Në shenjë solidariteti me protestuesit në Hagë, partia që ai drejton, Nisma Socialdemokrate, ka njoftuar se nuk do të zhvillojë sot asnjë aktivitet zgjedhor.
“Sot zgjedhim të jemi me ju, me drejtësinë dhe me të vërtetën. Bashkë duhet të punojmë që zëri i popullit të dëgjohet, që sakrifica e një populli të mos njolloset dhe që drejtësia të triumfojë,” përfundoi Limaj.