Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve lokale, Faton Peci ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve të Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen që i dhanë, duke e zgjedhur Kryetar të Komunës.
Në reagimin e tij, Peci ka theksuar se besimi i qytetarëve përbën përgjegjësinë më të madhe të jetës së tij politike. Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për angazhimin, durimin dhe kontributin e tyre gjatë fushatës, duke e cilësuar fitoren si fitore të Mitrovicës dhe të të gjithë atyre që kanë kërkuar dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme.
“Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para qytetarëve të mi,” ka deklaruar Peci, duke premtuar punë me përulësi, vendosmëri dhe integritet, si dhe luftë të palodhshme kundër krimit dhe korrupsionit. Ai theksoi se mandati i tij do të karakterizohet nga transparenca, llogaridhënia dhe respekti për çdo lagje, fshat dhe familje të Mitrovicës.
Peci ka falënderuar me mirënjohje strukturat, anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Guxo, si dhe vullnetarët, kandidatët e të rinjtë që kontribuan pa pushim gjatë fushatës.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Kryeministrit Albin Kurti, për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë procesit politik. Peci e ka cilësuar Kurtin si “shembull të njeriut të drejtë, trim e të ndershëm, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, duke luftuar kontrabandën, krimin dhe strukturat paralele, e duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin.”
Në fjalën e tij, Kryetari i sapozgjedhur është zotuar se Mitrovica do të ketë një qeverisje që dëgjon, reagon dhe mban fjalën, duke u fokusuar në projekte konkrete për infrastrukturë, arsim dhe shërbime publike cilësore.
Ai ka premtuar se do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallime partiake apo përkatësie, duke vënë interesin publik mbi çdo interes tjetër dhe duke trajtuar Mitrovicën me dinjitetin që meriton si qytet i sakrificës, punës dhe guximit.
“Mitrovica është qyteti i minatorëve, atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin ‘Me fat’, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqërojë punën tonë të përbashkët për qytetin,” ka përfunduar Peci.















