Artan Nimani nga Nisma Socialdemokrate, ka demantuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se ia kishte bërë një ofertë kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të bashkëqeverisur.
Kurti gjatë një tubimi me diasporën në Londër ka thënë se Nismës ia kishte ofruar postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.
Lidhur me këtë Nimani deklaroi se Nisma nuk ka kërkuar ofertë dhe kjo e Kurtit as që është diskutuar.
Ai tha se Nisma ka deklaruar dhe ka respektuar marrëveshjen për postin e kryetarit të Kuvendit, por jo për këtë pozicionim të Kurtit që e deklaroi vetë ai.
“Është vërtetë interesant që ne nuk kemi diskutuar fare për ofertë dhe nuk kemi kërkuar oferta nga Kurti. Kjo tregon më së miri atë shpirtngushtësinë e njeriut që nuk është i interesuar që t’i formojë institucionet, sepse nëse ka pasur oferta të tilla… nuk janë për opinionin publik – janë oferta të diskutimit në tryeza. Ne kemi qenë shumë të qartë, kemi kërkuar që të respektohet marrëveshja, të cilën LVV-ja e ka pasur me Nismën, e cila ka pasur të bëj me postin e kryeparlamentarit. Në asnjë rrethanë, në asnjë rast, në asnjë bisedim apo në asnjë forum tonin nuk është diskutuar për pjesëmarrjen e Nismës në ekzekutiv. Ne me Nismën nuk e kemi diskuar në asnjë moment këtë pozicionim të Kurtit”, tha Nimani në Tëvë1.
Ndërkaq, ofertën e Kurtit e ngjasoi me atë si të një fëmije të lazdruar.
“Kjo ofertë më shumë të ngjanë me atë kur një fëmijë është i lazdruar që dalin dhe kur s’i realizohet një dëshirë, duan ta akuzojnë secilin që ‘ja se bëra këtë, se bëra atë’. Prandaj, është mirë që të jemi më serioz në raport me krijimin e institucioneve”, tha Nimani.
Sipas tij, LVV-ja nuk është e interesuar për krijimin e institucioneve, por për të shfaqur veten si viktimë në procesin zgjedhor.
“LVV-ja nuk është e interesuar për krijimin e institucioneve, më tepër është e interesuar që ta paraqes vetën si viktimë në raport me procesin. Ka marrë mbi 400 mijë vota dhe prapë paraqitet si viktimë e procesit zgjedhor. Tendenca për t’i fajësuar të tjerët për dështimet e veta, mua më duket jo shumë serioze dhe jo e pranueshme edhe për opinionin”, deklaroi ai.
Ai tha se Kurti e ka humbur shansin njëherë e përgjithmonë që të jetë kryeministër i Kosovës nga mosrespektimi i marrëveshjes me Nismën.