Sulmuesi i kombëtarës së Kosovës, Vedat Muriqi, po kalon një periudhë shumë të mirë te RCD Mallorca, por skuadra spanjolle vazhdon të përballet me vështirësi serioze në La Liga.
Pavarësisht 16 golave të realizuar nga sulmuesi kosovar, Mallorca renditet në pozitën e 18-të në tabelë, zonë që çon drejt rënies nga elita.
Megjithatë, mundësitë që Muriqi të luajë në kategorinë e dytë duken të pakta.
Sipas raportimeve të mediave turke, Fenerbahçe po ndjek me vëmendje situatën e tij. Në rast se Mallorca bie nga liga, transferimi i sulmuesit drejt klubit nga Stambolli pritet të jetë më i lehtë për t’u realizuar.
Edhe nëse skuadra spanjolle arrin të sigurojë mbijetesën, Fenerbahçe thuhet se do të përpiqet ta bindë 31-vjeçarin të rikthehet, duke shfrytëzuar dëshirën e tij për t’u rikthyer në Turqi. Klubi turk kishte shfaqur interesim për Muriqin edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por Mallorca nuk pranoi ta lëshojë atë.
Muriqi ka veshur më herët fanellën e Fenerbahçes për një sezon, konkretisht në edicionin 2019/2020, ku realizoi 15 gola dhe dhuroi pesë asistime në 32 ndeshje kampionale.













