Ndërmarrja “Newco Ferronikeli”, i ka njoftuar punëtorët e saj se pas një periudhe prej 17 muajsh të pezullimit të prodhimit, menaxhmenti ka vendosur ndalimin e plotë të aktivitetit prodhues deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Sipas vendimit të siguruar nga Periskopi, vendimi erdhi si rrjedhojë e një situate të jashtëzakonshme të krijuar nga tregu ndërkombëtar, me impakt të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e ndërmarrjes.
“Më konkretisht, faktorët kryesorë me ndikim të drejtpërdrejtë në veprimtarinë prodhuese dhe shitjet e Shoqërisë janë rritja e madhe e çmimit të energjisë elektrike, rrjedhimisht rritje e kostove dhe lëvizjet e mëdha dhe gjithnjë më të pafavorshme komercialist të nikelit në bursë dhe tregun ndërkombëtar”.
“Pezullimi i prodhimit dhe rrjedhimisht ndalimi i plotë i veprimtarisë parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2025, periudhë e cila do të na shërbejë për të marrë masa për përmirësimin e situatës financiare të Shoqërisë, me qëllim përballimin e efekteve negative të shkaktuara nga faktorët kryesorë të tregut ndërkombëtar dhe rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike”, thuhet në vendim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në vendim thuhet se “NewCo Ferronikeli” e ka të pamundur që t’i mbulojë kostot financiare të personelit, prandaj thanë se është “vendosur të reduktohet prezenca në punë e punonjësve në masën prej 25% të kohës normale të punës”.
Ndërkaq, sipas “Periskopit”, në njoftimin që kanë pranuar punëtorët e Ferronikelit, thuhet se ata do të kompensohen në masën 50% të pagës bazë gjatë kohës së cilës ata nuk do të jenë të pranishëm në punë.
“Pezullimi i prodhimit dhe rrjedhimisht ndalimi i plotë i veprimtarisë parashikohet të jetë deri në fund të vitit 2025, periudhë e cila do të na shërbej për të marrë masa për përmirësimin e situatës financiare”, citon “Periskopi” njoftimin e kompanisë “NewCo Ferronikeli”.