Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i ka dhënë mbështetje të plotë Serbisë në raport me Kosovën, duke thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e saj “kurrë”. Ai njoftoi se do të dërgojë trupa sllovakë në misionin e KFOR pas një ndërprerjeje 15-vjeçare.
Këto deklarata ai i bëri në një intervistë në mediumin publik serb, RTS. Fico ka qëndruar në një vizitë në Serbi ku u takua edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Express.
Në këtë intervistë ai u pyet për vendimin e Sllovakisë për mbylljen e zyrës ndërlidhëse në Prishtinë pas 25 vitesh dhe nëse pas këtij vendimi “iu shtua presioni” vendit të tij.
“E shihni, Sllovakia përmendet gjithmonë kur flasim për mendimin tonë për integritetin territorial. Për sa na përket ne nuk kemi çfarë të ndryshojmë. Pra, e thashë pikërisht në konferencën për shtyp, me presidentin [Aleksandar Vuçiq]. Tani po, në forume ndërkombëtare ndonjëherë ndodh që të na pyesin nëse do të ndryshojmë mendimin tonë, nëse duam ta shikojmë çështjen ndryshe dhe unë gjithmonë përgjigjem jo”, ka thënë Fico.
Ai ndoqi narrativën serbe se “Kosova përbën një standard të dyfishtë” dhe tha se derisa ai të jetë në krye të Sllovakisë nuk do të ndryshojë qëndrim.
“Aktualisht unë jam kryeministër i Republikës së Sllovakisë, nuk do t’i kthehem kurrë kësaj teme dhe sigurisht dua që ky problem të zgjidhet sa më shpejt. Por e shihni, Kosova është shembull i atij standardi të dyfishtë”.
Fico njoftoi gjithashtu se duan që të rrisin numrin e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë në 150 dhe tha se i ka thënë Vuçiqit se “ushtarët sllovakë duan të kthehen në misionin e KFOR-it në Kosovë”.
Arsye për këtë, Fico tha se është “marrja e informacionit objektiv” për atë se çka ndodh në Kosovë.
“Dhe për ne është shumë e rëndësishme sepse do të marrim informacion objektiv sepse nuk mund të marrim informacion nga media. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë, por edhe me marrjen e informacionit objektiv, në mënyrë që ne sllovakët të dimë se çfarë po ndodh realisht atje. Prandaj, numri i ushtarëve sllovakë do të jetë rreth 150. Më vjen mirë që pala serbe e pranoi me mirëkuptim”.
Fico tregoi se kur do të mund të ndodhë kjo, ndërsa shtoi se për këtë çështje pjesë e delegacionit të tij në Serbi ishte edhe ministri i Mbrojtjes.
“Me sa di unë, duhet të jetë fillimi i vitit të ardhshëm. Pra, gjatë vitit të ardhshëm, grupi i parë, le të themi 60 ushtarë, duhet të largohet atëherë dhe siç thashë më parë, duhet të jenë rreth 150 ushtarë. Ministri i Mbrojtjes ishte përgatitur dhe ishte pjesë e delegacionit tim në Serbi”.