Anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Dynamic Front”, e zhvilluar në Grafenwoehr Training Area të Gjermanisë.
Gjatë kësaj stërvitjeje, pjesëtarët e FSK-së u angazhuan në ngarkimin e predhave të mortajës, në kuadër të ushtrimeve të postit komandues, shkruan IndeksOnline.
“Dynamic Front” është një mision stërvitor i organizuar nga NATO dhe U.S. Army, që fokusohet në planifikimin e sinkronizuar të komandës dhe koordinimin e zjarrit të artilerisë.
Stërvitja përfshin manovrime në një mjedis kompleks operacional, duke simuluar operacione në zonë grumbullimi, përdorimin e kapaciteteve të artilerisë si dhe realizimin e qitjeve me municion real.
Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i “Dynamic Front” është rritja e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë së forcave aleate, me synim sigurimin e aftësisë për të ofruar mbështetje të fuqishme me zjarr në operacione tokësore në shkallë të gjerë në Evropë.













