Në kuadër të hulumtimeve për parregullsitë në sektorin privat të shëndetësisë, Veriu.info para disa ditësh kishte publikuar një artikull ku dëshmohej se si spitali “Sante Plus” po operonte ilegalisht në lagjen Pejton të Prishtinës, edhe pse veprimtaria i ishte ndërprerë me vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë.
Veriu.info ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, për të marrë përgjigje se pse po lejohet operimi ilegal i “Sante Plus”, me pronar turkun Bilal Kara, ku pas disa ditësh pritjeje, na u është konfirmuar se pas publikimit të hulumtimit Inspektorati Shëndetësor ka realizuar riinspektim.
Ministria e Shëndetësisë nuk e ka treguar datën se kur është bërë riinspektimi, por vetëm njofton se në momentin e realizimit të tij reklamat (logot dhe posterët) e funksionimit të spitalit ishin larguar.
“Sipas informatave nga Inspektorati, është kryer riinspektimi në këtë subjekt, ku të gjeturat rezultuan të njëjta si para inspektimit paraprak. Shenjat që paralajmërojnë ndalim të përkohshëm të veprimtarisë ishin ende të vendosura dhe nuk është vërejtur ofrimi i shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, është vërejtur se reklamat e këtij subjekti ishin larguar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Veriu.info.
Në fotot e bëra nga Veriu.info dje (13.02.2026), shihet se tashmë spitali “Sante Plus”, që funksiononte ilegalisht në qendër të Prishtinës, është mbyllur dhe objekti i të njëjtit tash ofrohet me qira.

Çka kishte raportuar Veriu.info më 31 janar 2026?
Në hulumtimin e publikuar në Veriu.info dëshmohej me dokumente dhe konfirmim zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë se me vendimin e Inspektoratit Shëndetësor të datës 16 qershor 2025 spitalit “Sante Plus” i ishte vendosur ndalesa e ushtrimit të çfarëdo veprimtarie shëndetësore dhe se të njëjtit i ishte ndaluar edhe promovimi apo reklamimi i çfarëdo shërbimi shëndetësor apo konsulte mjekësore.

Mirëpo, siç dëshmohet edhe në artikull, Veriu.info kishte arritur të sigurojë fotografi të datës 23.01.2026 ku shihen reklamat e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në objektin e “Sante Plus”, përkundër faktit që ndalesa e ushtrimit të veprimtarisë ishte në fuqi.

Kush ishin themeluesi i “Sante Plus” dhe menaxherja e spitalit?
Veriu.info kishte raportuar se pronar i “Sante Plus Hospitals” ishte turku Bilal Kara, i cili në fund të vitit të kaluar ishte përfshirë në një skandal në Shqipëri si aksionar i spitalit “International Medicare Hospital”, pjesë e “Sante Plus”, me ç’rast ishin shpallur në kërkim policor. Në të njëjtin aksion të Policisë së Shqipërisë ishte shpallur në kërkim edhe Geriana Arapi, që në Kosovë ushtronte detyrën e menaxheres së “Sante Plus”, ku e njëjta kishte penguar në punë inspektorët e Inspektoratit të Shëndetësisë.

Policia e Shqipërisë në fund të vitit të kaluar kishte bërë të ditur se hetimet disamujore kishin rezultuar me zbulimin se subjekti, i cili ka ndryshuar emrin në “International Medicare Hospital”, kishte fshehur fitime mbi 1 milion euro dhe përdorte produkte të ndaluara për shërbimet shëndetësore. (https://www.balkanweb.com/emrat-spitali-sante-plus-nderroi-emrin-ne-international-medicare-hospital-dhe-fshehu-1-mln-euro-fitime-arrestohet-administratori-edmond-zaja-ne-kerkim-aksioneret-bilal-kara-dhe-geriana-ara/#gsc.tab=0)
Mediat në Shqipëri kishin raportuar se shteti kishte sekuestruar spitalin privat “International Medicare” në Zogun e Zi në Tiranë, një objekt me vlerë rreth 3 milionë euro. Hetimet kishin nisur që në vitin 2024, pas denoncimit të një pacienti portugez ndaj spitalit, pjesë e “Sante Plus Group”. Sipas denoncimit, ai pagoi 5.200 euro për tri shërbime, të cilat nuk i kreu kurrë, pasi doktorët u larguan nga spitali. (https://shqiptarja.com/lajm/1-mln-evazion-fiskal-sekuestrohen-pasurite-e-international-medicare-e-sante-plus)
LEXONI EDHE:
LEXONI EDHE:














