Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, i cili përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, është përfshirë në një përplasje me komisionerët dhe vëzhguesit e partive opozitare në Qendrën e Numërimit të Votave.
Përplasja ndodhi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë, kur u diskutua vlefshmëria e një vote të prerë poshtë.
Ky incident ka nxitur reagimin e ekspertit të zgjedhjeve nga Demokraci Plus (D+), Albert Krasniqit.
Duke e komentuar situatën, ai ka thënë se KQZ-ja duhet të funksionojë si një institucion i pavarur dhe i paanshëm, ku anëtarët e saj duhet të shërbejnë në mënyrë profesionale dhe pa ndikime politike.
Krasniqi e ka cilësuar të papranueshëm çdo ndërhyrje të anëtarëve të KQZ-së në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve të partive politike.
“Modeli i përcaktuar për KQZ-në në Kosovë është ai i një institucioni të pavarur, ku anëtarët e saj betohen për të shërbyer në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Çdo përpjekje e anëtarëve të KQZ-së për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, përmes ndikimit apo presionit, është tërësisht e papranueshme”, shkroi ai në Facebook.
Ai shtoi se Presidentja e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për shkarkimin e anëtarëve të KQZ-së që shkelin detyrimet e tyre, veçanërisht ndaj atyre që përsërisin shkelje të tilla.
“Këto ndërhyrje duhet të ndalen menjëherë për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve. Në të kundërtën, Presidentja e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për shkarkimin e anëtarëve që shkelin detyrimet e tyre, veçanërisht ndaj atyre që janë përsëritës në cenimin e administrimit të zgjedhjeve”, tha Krasniqi.