Fehmije Gashi-Bytyqi, gruaja e parë që ka shërbyer si zyrtare në Policinë e Kosovës, uroi sot përmes medias 26-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.
Gjatë intervistës në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, ajo rrëfeu se përvoja e saj si polic ishte një nga më të paharrueshmet në jetën profesionale dhe personale.
Duke folur për sfidat e institucionit, Gashi-Bytyqi, e cila tani ushtron profesionin e avokates, theksoi mungesën e sigurimit shëndetësor për punonjësit e Policisë, edhe pas më shumë se dy dekadash nga krijimi i saj.
“Nuk kam menduar kurrë se Policia e Kosovës edhe pas 26 vjetësh të formimit nuk do të ketë sigurim shëndetësor. Mirëpo të mbahet arma, të mbahet shufra, të patrullohet natën, dhe sidomos kohëve të fundit në veri të vendit, ku u kthye sovraniteti realisht, falë sakrificës së drejtpërdrejt të Policisë së Kosovës”.
“Mos të harrojmë e kemi dëshmor edhe Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun, dhe imagjinojeni që një zyrtar policor nuk ka as sigurim shëndetësor dhe asnjë shujtë ditore për ushqim”, ka thënë Gashi-Bytyqi.