Një rast shqetësues i zhdukjes së një të miture në Fushë Kosovë ka përfunduar me kthimin e saj të sigurt në shtëpi, pas disa ditësh mungesë dhe pa ndonjë kontakt me familjen.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Besforta Shala, e lindur më 2010, ishte raportuar si e zhdukur nga babai i saj më datë 30 maj 2025, rreth orës 19:30, në stacionin policor të Fushë Kosovës. Sipas kallëzimit, vajza kishte dalë nga banesa më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit, dhe nuk ishte kthyer më. Ajo nuk kishte me vete telefon dhe familja nuk kishte informacion se çfarë kishte veshur.
Mësohet se viktima është një rast i përsëritur i largimeve nga shtëpia, ndërsa edhe herën e fundit Prokuroria për të Mitur kishte urdhëruar inicimin e rastit si “Person i zhdukur”.
Fatmirësisht, më 1 qershor 2025, rreth orës 02:45, babai i saj, Remzi Shala, është paraqitur sërish në polici – këtë herë bashkë me vajzën e gjetur. Gjatë intervistimit, e mitura ka deklaruar se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar vetëm, duke endur rrugëve të Fushë Kosovës, por se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia dhe organet kompetente po trajtojnë rastin me kujdes të veçantë për shkak të ndjeshmërisë së tij dhe historikut të përsëritur të largimeve nga shtëpia. Gazeta Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe t’ju informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.