Zyrtarë të komunës së Mitrovicës së Veriut kanë konfiskuar sot një veturë e cila ishte e parkuar në katin e dytë të garazhit publik “Sutjeska”. Bëhet fjalë për një xhip Nissan me ngjyrë të bardhë, i cili është shpallur në kërkim prej disa kohësh sipas policisë.
Sipas shefit të kabinetit të kryetarit, kjo veturë më parë i takonte Goran Rakiqit, transmeton Ballkani.info.
Në katin e dytë të kësaj garazhe janë parë policia si dhe zyrtarë komunalë, të cilët po tentonin të ndezin veturën me targa zyrtare të rajonit të Mitrovicës.
Policia e Kosovës thotë se veturën e kanë hasur së bashku me inspektorët komunalë, gjatë kontrolleve, dhe pasi komuna e Mitrovicës së Veriut së fundmi ka marrë juridiksionin mbi këtë dhe një garazh tjetër publik në qytet.
“Kur e pamë veturën, e krahasuam numrin e shasisë dhe kuptuam se ishte veturë komunale të cilën e kemi kërkuar për një vit”, tha për KoSSev, Veton Elshani, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për veriun.
Ai shton se më vonë kanë marrë vesh se çelësat i ka pasur N. E. nga Mitrovica Veriore dhe se i ka dorëzuar sot.
Sipas informacioneve jozyrtare të portalit KoSSev, bëhet fjalë për një veturë që dyshohet se është porositur më parë nga Goran Rakiq, deputeti aktual i Kuvendit të Serbisë, i cili më herët ka mbajtur disa pozita në sistemin e Kosovës, përfshirë edhe pozitën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut. N.E., nga ana tjetër, ishte shoferi i tij zyrtar. /Ballkani.info/