Ligjvënësit gjermanë miratuan porosi për blerjen e armëve dhe pajisjeve në vlerë të rreth 2,5 miliardë eurove për forcat e armatosura në seancën e fundit të rregullt të Kuvendit para zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.
Në blerje përfshihet një pjesë e një sistemi të ri të komunikimit me vlerë të 1,8 miliard eurove për ushtrinë, 417 milionë euro për furnizime për këmbësorinë dhe rreth 100 milionë euro për armë kundërtanke dhe një stacion armësh, sipas personave të afërt me çështjen, të cilët kërkuan të mbeteshin anonimë, raporton mediumi “Bloomberg”.
Blerja është pjesë e nismës për riarmatosje që është filluar nga Qeveria e kancelarit Olaf Scholz pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Ajo po financohet nga një fond i posaçëm jashtë buxhetit prej rreth 100 miliardë eurosh, shumica e të cilit tashmë është destinuar.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i përshkroi këto blerje si “të rëndësishme” në komentet e tij më herët të mërkurën para një vizite në Komisionin e Mbrojtjes të dhomës së ulët të Kuvendit në Berlin.
Komisioni për Buxhet, i cili duhet t’i miratojë të gjitha blerjet që e kalojnë vlerën e 25 milionë eurove, gjithashtu miratoi garanci shtetërore për ta ndihmuar kompaninë “Thyssenkrupp Marine Systems” për të fituar një kontratë me vlerë të 4,1 miliardë eurove për të prodhuar tri nëndetëse të tipit 209 për Argjentinën, si dhe pjesë rezervë e trajnime.