Ekrem Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ripërsëritur qëndrimin e këtij subjekti se nuk do të shkojnë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konstituimin e Kuvendi të Kosovës.
Në emisionin DPT Fidani, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kur e kuptoi se nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve ka kontaktuar disa deputetët të partive të tjera politike për të votuar pro konstituimit.
“Ka informatë se janë kontaktuar deputetë të partive të ndryshme, për t’i përkrahur. Pra gjueti deputetësh, me të vërtetë është një dëshpërim i madh i atyre qe vërtetë kanë pretenduar se i kanë i të gjitha, ajo arroganca e numrave që i kanë pasë mandatin e kaluar, si duket i ka përcjellë edhe në këto zgjedhje edhe pas këtyre zgjedhjeve, dhe nuk është lexuar mjaftueshëm real rezultati iz zgjedhjeve të fundit, dhe kur u pa se nuk janë numrat, ka pasë kontakte individuale me disa deputetë që u kanë kërkuar favore në kuptimin e saj që t’i përkrahin me numra për votim edhe të kryeparlamentarit”, tha Hyseni.
Ai tha se deputetë të LDK-së u kontaktuan, poashtu nga VV-ja.
“Ka pasë kontakte nga njerëz të ndryshëm, kanë shfrytëzuar lidhjet brenda dhe jashtë Kosovës, i kanë kontaktuar familjarët e tyre, kemi pasë raste kur kanë kontaktuar me deputetë edhe përmes këshilltarëve të tyre”, u shpreh Hyseni.